Haradinaj ka një “skenar” , rrëzimin e Demarkacionit në Kuvend!

Rrëzimi i Marrëveshjes së Demarkacionit nënkupton rishikimin edhe njëherë të kësaj Marrëveshje që do të ishte obligim edhe për Malin e Zi, thotë një prej anëtarëve të Komisionit shtetëror të caktuar nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Mos u ngutni kaq shumë. Nuk dihet a kalon Demarkacioni! Ramushi ka një skenar….” Kështu është shprehur një prej anëtarëve të Komisionit të formuar nga Ramush Haradinaj në krye me Shpëtim Bulliqin, emrin e të cilit nuk e bëjmë publik për hir të korrektësisë në raport me këtë anëtar të Komisionit të caktuar nga Ramush Haradinaj.

Ky anëtarë i Komisionit që ka të botuar edhe libra me karakter ndërkombëtar për cështje të caktimit të kufijve shtetëror mes shteteve, e ka pranuar se në Kuvend do të votohet vetëm Projekligji për Demarkacionin që është i vitit 2015 dhe se të gjitha dokumentet e tjera përcjellëse, qoftë Raporti i komisionit për të gjeturat e Komisionit të kaluar apo edhe Deklarata mes presidentëve Vujanoviq e Thaci nuk prodhojnë efekte juridike dhe nuk votohen në Kuvend.

Sipas këtij anëtari të Komisionit të fundit të formuar nga Ramush Haradinaj, Deklarata e presidentëve Vujanoviq e Thaci do të prodhonte efekte juridike sikur ajo të miratohej edhe nga Parlamenti i Malit të Zi. Ndryshe, kështu sic është ajo është vetëm një deklaratë politike e vullnetit të mirë mes dy presidentëve dhe mes dy vendeve pa efekte juridike ndërkombëtare dhe pa ndikime praktike në terren.

Por, ky anëtar i Komisionit në fund të bisedës ka shprehur edhe mendimin e tij. “Mos u ngutni kaq shumë. Nuk dihet a kalon Demarkacioni! Ramushi ka një skenar….Nuk përjashtohet as rrëzimi i Demarkacionit që nënkupton edhe detyrim për rishikim të marrëveshjes prej fillimit”.

Marrëveshja me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 dhe prej atëherën është vënë kusht nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave, përkatësisht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, shkruan Botapress.

SHPËRNDAJE