Haradinaj: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja.

Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re Kosova, do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse.

“Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t’i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t’i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë”, tha Haradinaj.

Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.

“Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti”, tha ai.

SHPËRNDAJE