Haradinaj: Kosova ende pranon trupa të pajetë nga Serbia pa asnjë shpjegim

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Haradinaj ka mbajtur një konferencë për media.

Në pyetjen rreth presionit për heqjen e taksës ku Serbia zyrtare ka deklaruar se nuk do të dialogojë me Kosovës deri sa të tërhiqet ky vendim, Haradinaj ka thënë se nuk ka koment rreth këtyre qëndrimeve, qofshin ato edhe të Bashkimit Evropian.

“Unë nuk kam koment për qëndrimet e Serbisë rreth taksës, qofshin ato edhe të Bashkimit Evropian unë prap nuk kam koment. Kosova ka pranuar dhe vazhdon të pranojë trupa të pajetë nga Serbia dhe kurrë nuk ka marrë ndonjë shpjegim se si këta persona kanë vdekur” ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.

Tutje, Haradinaj ka thënë se përderisa nuk ka njohje nga ana e Serbisë, ai beson se Kosova ka bërë mjaftueshëm në përmirësimin e marrëdhënieve, kështu që qëndrimi aktual i Qeverisë është mëse i qartë.

“Mua më kujtohet kur kam qenë kryeministër në vitin 2004, kam shkuar në Merdare dhe kemi marrë disa trupa të pajetë. Këta trupa janë gjetur të vdekur në Danub apo diku tjetër, por Kosova nuk pranoi kurrë ndonjë shpjegim se si këta trupa përfunduan aty. Shteti i Kosovës edhe pas këtyre veprimeve ka pranuar të ulet në tavolinë me Serbinë, ndërsa tani nëse nuk ka njohje në tavolinë, atëherë situata do të vazhdojë kështu si është” ka përfunduar Haradinaj.

Këto deklarata, kryeministri Haradinaj i tha pas presioneve të njëpasnjëshme nga ndërkombëtarët dhe ‘kërcënimeve’ të zyrtarëve serbë për vendimin e taksës 100%. /Ballkani.info

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE