Haradinaj: Me Ligjin për Pagat, përveç meje paga s’do t’i ulet askujt asnjë cent

Qeveria e Kosovës ka bërë shqyrtimin paraprak të Pakos legjislative të reformës së administratës publike, në të cilin përfshihet dhe Ligji për Pagat.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se në këtë takim do të ketë vetëm diskutim të Ligjit për Pagat, i cili në një periudhë prej 10 ditësh do të kthehet në Qeveri për aprovim dhe pastaj do të procedohet në Kuvend.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar beson që brenda pesë ditësh do të marrin komentet për ligjin në fjalë dhe pastaj do t’i kenë dhe pesë ditë të tjera, që të bëjnë kalkulimet financiare.

“ Ligji për pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarë dhe funksionet publike dhe rregullat për caktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Besoj që brenda 5 dite Ministritë dhe kabinetet të dërgojnë komentet , pastaj që të kemi së paku 5 ditë që të bëjmë kalkulime financiare, për të dal në votim në Qeveri, pastaj në procedim në Parlament“, tha Yagcilar.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se është kjo është prej reformave me të rëndësishme dhe se duhet të shtyhet përpara.

Ai tha se edhe pse ka një tendencë nga MAP, që ekzekutimi i pagave të largohet nga MF dhe të kalojë tek ta, për shkak të ruajtjes së kontrollit dhe disiplinës sipas tij, është më mirë që të mbetet aty dhe të përshtatet edhe me dokumentet tjera. Ndërsa sa i përket Ligjit për Paga tha se duhet të kenë parasysh dhe legjislacionin në fuqi, sipas të cilit rritja e pagave duhet të bëhet në përputhje me rritjen ekonomike.

Hamza kërkoi kujdes, pasi që siç tha ai përmes kësaj reforme, mund të krijojnë pabarazi, e cila pastaj prodhon probleme për Qeverinë.

“Duhet ta kemi në konsideratë që e kemi një legjislacion në fuqi, që është aprovuar nga Qeveria e kaluara. Nuk po them është i mirë apo s’është, po është në fuqi ku ka qenë dhe z. Yagcilar ku është dhe ligji për menaxhimin e financave publike dhe kërkon që rritja e pagave në Kosovë të jetë në përputhje me rritjen ekonomike. Këtu duhet të kemi alternativa. A ka mundësi që me akomudu brenda kësaj rregulle, brenda këtij ligji. Duhet të kemi alternativë nëse kalon këtë shumë e a mund të implementohet nëpër vite. Duhet ta kemi dhe alternativen e fundit dhe nëse kjo s’ndodh a duhet të përfshihet plotësim ndryshimi dhe i këtij ligji. Prandaj është çështje që ministritë e linjës kur po vijnë me koncept dokument po paraqesin një kosto tjetër, kur po vijnë me projektligj kuptoj që mundet me pas një dallim të arsyeshëm. Por këtu po flasim më shumë se 100 për qind për qind dallim. Është numër i madh i shtesave. Aktualisht i kemi 30 deri në 40 shtesa. Mirëpo parashihen që dhe në të ardhmen të ketë shtesa. Iu lus që në ligj të përcaktohen kritere të qarta apo akte nënligjore, si të si të ndahen shtesat, sepse pastaj me shtesa krijohet ajo pabarazia”, tha ai.

Hamza po ashtu kishte dhe një lutje tjetër, që të mos degradohen Doganat dhe ATK-ja në statutin e tyre.

“Tu kisha lut z. ministër për shkak të rëndësisë se dhe aktualisht është kështu e rregullume, që Dogana dhe Administrata tatimore e Kosovës, të mos degradohen në statusin e tyre, qysh është në draftin aktual. Janë institucione të cilat e mbushin buxhetin e shtetit. Besoj se nuk po kërkoj kurrfarë privilegjesh,. Nuk po kërkoj kurrfarë trajtimi më pozitiv në raport me të tjerët, por jo degradim të statusit dhe jo ndryshim të gjendje”, tha ai.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se vëmendja duhet t’i kushtohet disa sektorëve të cilët kanë mbetur mbrapa. Sipas tij nëse nuk do të ketë një pako stimuluese, për punëtorët shëndetësor, atëherë Kosova nuk do të ketë mjek për të punësuar.

“Në qoftë se ne sot tentojmë ta bëjmë një nivelizim, s’do të thotë se duhet të nivelizojmë të gjithë. Duhet t’i nivelizojmë ato që kanë mbetur mrapa, e jo gjithsesi të krijojmë favore për të gjithë sektorët pavarësisht ku gjenden për shkak të lobimit. Sektori i shëndetësisë dhe punëtorët shëndetësorë, duhet të konsiderohen dhe në nivelin e politikave nacionale. Sot mjekët tanë lëvizin nga Kosova dhe kemi numrin më të vogël të mjekëve për 1 mijë banorë në rajon. Kosova ka numrin më të vogël të mjekëve për kokë banori. Në qoftëse ne nuk kemi një pako stimuluese do të paraqitemi në një kohë kur s’do të kemi mjek për punësime”, tha Ismaili.

E kryeministri Ramush Haradinaj tha se me Ligjin për Pagat, përveç tij, askujt nuk do t’i ulet paga për asnjë cent.

“Bindja ime është që kërkujt që merr pagë prej publikut s’guxon me iu ul një cent, në përjashtim të njanit, kryetarit të Qeverisë dhe që më vjen mirë që po rregullohet me ligj kjo dhe që ndodh ajo ulje. E dyta mendoj që ne duhet ta kemi një guxim politik, qytetar e zhvillimor. Ne nuk jemi në akuarium si vend. Janë disa qarqe ndërkombëtare, që të lënë tërë jetën në akuarium, nëse ti nuk e ke guximin politik me ec pak përpara. Është më mirë me rujt një gjendje se sa me zhvillu me rrit. Ne duhet me ik prej logjikës së UNMIK-ut. UNMIK ka qenë logjika me administru gjendjen çfarë është, veç administrim i gjendjes. Duhet të ikim prej kontabilistëve. Nuk jemi kontabilistë na. Ne jemi njerëz që krijojmë vlerë të re, situata të reja, rreziqe të reja. Krijojmë obligime të reja, nga të cilat dikund mbërrijmë”, tha Haradinaj.

Sipas tij pa marrë parasysh rrezikun, ky vend duhet të ec përpara.

“Unë jam për me ec pak më përpara me këto paga. Çka ndodh me atë pare që e merr një polic për shembull. Nëse i rritet rroga, shkon merr kredi me ble një banesë. S’ka ku i qon tjetër. Nuk shkojnë në Dubai. Nuk shkojnë tjetër kund. Jam për me lëviz pak në këtë drejtim. Unë e di se këto janë ngarkesa e shqetësime. Nuk është lehtë, se numrat nuk kanë mëshirë. Por Ne duhet ta tregojmë një guxim si vend dhe definitivisht njëherë e përgjithmonë ta kemi një ligj për paga, një rregull . Mos të ia hapim gojën gjithkujt t’ia mshelim dove që s’kanë nevojë”, tha ai.

Ndërkaq ministri i Inovacionit Besim Beqaj tha se çështja e Ligjit për pagat, duhet të diskutohet në nivel politik. Ndërsa kërkoi një takim të veçantë në Qeveri, për të diskutuar për këtë çështje.

Haradinaj kishte dhe një kërkesë për ministrin e Drejtësisë, nga i cili kërkoi që të zbrazen sirtarët nga lëndët të cilat presin me vite.

“Nuk e di Abelardi është këtu, por me pa si mundemi diqysh me zbraz sirtarët prej këtyre dosjeve që janë që dhjetë vjet. Fatmirësisht e ka një koncept zbatues ministri, mbaj shpresë do ta gjejmë një formulë që vërtetë t’i zbrazim këto dollapë. Dhe prej atyre që janë akumuluar dhe prej atyre që na jep eulex por t’i kemi thatë këto dollapë. Dhe kësisoji ta nisim dikah këtë vend. Sepse është e dhimbshme, sepse ne po administrojmë, vetëm gjendje që na jep dikush. Vetëm rrethana që na le dikush nuk guxojmë ashtu. Jam i interesuar me ec ky vend, mos me u ndal më. Ne kemi prit që 20 vjet, po na ikin rinia non stop, të vendosim dikah”, tha ai.

E ministri i Abelard Tahiri i tha kryeministrit që për këta muaj sa janë në qeverisje, janë marrë hapa të rëndësishëm, të cilët nuk janë marrë katër vitet e fundit.

“ Mendoj që këta dhjetë muaj sa qeverisim kemi marrë hapa jashtëzakonisht të mëdhenj që s’janë marrë katër vitet e fundit. Vetëm gjatë këtij viti gjyqësorit dhe prokurorisë janë duke iu shtuar rreth 300 zyrtarë të rinj, që do pë jenë zyrtarë, bashkëpunëtorë profesional, zyrtarë ligjor që s’ka ndodh asnjëherë në një masë kaq të madhe qysh po ndodh tani”, tha Tahiri.

SHPËRNDAJE