Haradinaj nis ngadalë të pranojë lojën e Presidentit për zgjerim të territorit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e tij se “kufijtë janë të panegociueshëm” në bisedimet me Serbinë, dhe kjo deklaratë e tij vije pas deklaratës së sotme të presidentit Hashim Thaçi i cili tha se “patriotizmi dallon nga pjesëmarrja në procese, aty kërkohet mençuri”.

Këtë deklaratë kryeministri Haradinaj e bëri në Kuvendin zgjedhor të Aleancës së të Rinjve të Kosovës në Ferizaj.

“Ato qëndrimet rreth negocimit me Serbinë, ne jemi të vetëdijshëm se edhe duhet mençuri, edhe duhet zgjuarsi, edhe duhet zotësi, por një gjë po ashtu e di, që s’bënë me ngucë atë që është mbërri, pra s’guxojmë me rihap Kosovën, kufijtë, territorin. Nëse shtohemi e rritemi, askush nuk është kundër, por s’guxojmë me hap për diskutim a negocim atë që kemi mbërri, pra është gabim. Sot me të gjitha paritë politike që jemi në koalicion, kemi rënë dakord për një rezolutë, që thotë: kufijtë janë të panegociueshëm”, tha Haradinaj.

Duke folur për FSK-në, ai tha se tani do të jetë Ushtri e Kosovës, e barabartë me të gjitha ushtritë e shteteve sovrane.

“Ju siguroj se mandati i Ushtrisë sonë është i plotë dhe nuk ka dallim prej mandateve të ushtrive tjera të shteteve sovrane, pra nuk ka asnjë mungesë. Çdo e drejtë e një ushtrie që ekziston, e ka FSK-ja. Ia kemi dhënë këtë mandat. Çka është më rëndësi, e kemi fituar besimin për këtë punë që po e bëjmë, për pjekurinë që po tregojmë, për seriozitetin që po tregojmë të aleatët tanë. E kemi fituar besimin edhe të serbëve të Kosovës, ka të rinj e të reja serbë që janë pjesëtarë të FSK-së, ka edhe tjerë që po duan të bëhen, edhe pse po u bëjnë presion disa po e lëshojnë, disa të tjerë prapë po duan të bëhen. Do të rritet për 2-mijë”, tha ai, raporton KsP.

Haradinaj foli edhe për investimet e ardhshme në energji në vlerë prej 1.3 miliardë dollarë, ndërsa pohoi se liberalizimi i vizave nuk është projekt i dështuar. “E kam zhvilluar një takim tepër të mirë me kryeministrin e Holandës”, tha ai, ndërsa tregoi se është në kontakt të vazhdueshëm edhe me qeverinë gjermane.

Haradinaj po ashtu shprehu besimin që më 20 nëntor, Kosova do të bëhet anëtare e Interpol-it.

Më këtë rast kryetari i AAK-së e ka quajtur Ferizajn “promotor të zhvillimit ekonomik, sepse ai ka zënë hapin e zhvillimit ekonomik”.

Ai shtoi se Ferizaj nuk po mbetet më qytet i një rajoni diku, por po bëhet kryeqendër e rajonit të vet. Ai theksoi ndërtimin e spitalit të Ferizajt dhe shprehu dëshirën që të mund të fillohet edhe me ndërtimin e liqenit të Lepencit.

SHPËRNDAJE