Haradinaj planifikon të thërras mbledhje anti-kushtetuese të Qeverisë që e rrëzoi

Për këtë të premte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj planifikon të thërrasë mbledhjen e radhës të qeverisë që vetë e rrëzoi.

Disa burime kanë konfirmuar për KTV-në që Haradinaj planifikon t’i mbledhë ministrat e kabinetit në një mbledhje të radhës.

Nëse vazhdohet përpara me këtë plan, mbledhja e qeverisë do të mbahej një javë pasi që Haradinaj, në të njëjtin vend dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit.

Neni 95.5 i Kushtetutës thotë se me dorëheqjen e kryeministrit, qeveria që udhëheq ai ose ajo, rrëzohet e tëra.

“Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”, thotë Neni 95.5 i Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuta nuk ofron afate për mandatimin e kryeministrit të ri, në rast të dorëheqjes së kryeministrit paraprak.

Njohësit e rrethanave thonë se Kosova nuk ka qeveri, pas dorëheqjes së kryeministrit, dhe se Haradinaj nuk është në detyrë.

Analisti në Institutin GAP, Bekim Salihu, në një sqarim për Koha.net tha se “termi kryeministri në dorëheqje” nuk ekziston dhe se Haradinaj është ish-kryeministër.

Salihu thotë se vetëm në nenin 100, pika 6, thuhet se “nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”.

Edhe analisti Albert Krasniqi ka thënë se qeveria ka rënë.

“Kushtetuta po bën dallim në mes të rastit kur: 1. Kryeministri jep dorëheqje; dhe 2. Votohet mocioni i mosbesimit për Qeverinë. Në rastin e parë, nuk kemi fare Qeveri, postet janë të zbrazëta, ministrat, zëvendësministrat dhe këshilltarët e tyre duhet t’i lirojnë menjëherë pozitat. Kjo qeveri nuk mund të marrë asnjë vendim. Në rastin e dytë, qeveria konsiderohet në dorëheqje, por që i ushtron detyrat deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Kompetencat e qeverisë në largim nuk janë të kufizuara ligjërisht. Ramushi nuk është kryeministër në detyrë, por ish-kryeministër”, ka shkurar Krasniqi.

Haradinaj do të kthehet menjëherë nga Haga dhe ka thënë se, me t’u kthyer, do t’i hyjë garës politike për zgjedhjet e reja.

SHPËRNDAJE