Haradinaj takohet me Çavusoglun, asnjë fjalë për mbylljen e shkollave dhe deportimin e ‘gylenistëve’ nga Kosova

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, është takuar sot edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në njoftimin për këtë takim, Haradinaj thotë të kenë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në INTERPOL.

Kryeministri Haradinaj thotë se ka marrë mbështetjen e Turqisë për INTERPOL si dhe lobimin për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.

Megjithatë nuk dihet nëse Cavusoglu ia ka përsëritur kryeministrit Haradinaj, porosinë që u kishte dhënë dje, ministrit të Punëve të Jashmte, Behgjet Pacolli, dhe presidentit, Hashim Thaçi, për mbylljen e shkollave të Fetullah Gulenit dhe dorëzimin e ‘gylenistëve’, shkruan Gazeta Express.

“Bashkëbisedim i frytshëm mbi dinamikën e ardhshme të bashkëpunimit të dy shteteve tona me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me të cilin shprehëm vullnetin e përbashkët për intesifikimin e partneritetit politik, ekonomik dhe të sigurisë ndërmjet dy vendeve tona, në dobi të dy palëve. Nga ministri turk Çavusoglu u sigurova për mbështetjen e plotë të shtetit turk për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe lobimin për shtimin e njohjeve të reja”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij, raporton Gazeta Express.

Cavusoglu është zyrtari i parë turk që viziton Republikën e Kosovës pas skandalit të depërtimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti./GazetaExpress/