Haradinaj: Vuçiq synon rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet Listës Serbe

Ramush Haradinaj deklaron se Aleksandar Vuçiq po kërkon që përmes Listës Serbe, të rrëzojë qeverinë e Kosovës, sepse ajo nuk pranon idenë e ndarjes së territorit.

Në një intervistë për RTK 2, në gjuhën serbe, shefi i ekzekutivit kosovar përcolli bindjen se Beogradi kërkon ta sakrifikojë Listën Serbe në lojën e tij.

“Mendoj se fati i kësaj partie është në duart e Vuçiqit. Them se Beogradi do ta sakrifikonte atë dhe liderët serbë në lojën e tij të ndarjes. Presidenti Vuçiç do të donte rrëzimin e qeverisë sime, sepse ne nuk po e përkrahim ndarjen. Kjo do të thotë se ndoshta do t’i kishte disa partnerë në Kosovë, por nuk besoj se ky është qëndrim i Listës Serbe, sepse nuk janë të gjithë serbë nga veriu, disa janë edhe nga pjesa qendrore e Kosovës”, tha Haradinaj.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, tha me tej Haradinaj, ka shkuar në drejtim të gabuar. Hapja e çështjes së kufijve do të hapte të kaluarën, e kjo nuk do ishte aspak pozitive, shtoi kryeministri kosovar, duke kujtuar sesi ai vetë është një nga personat që e ka përjetuar një gjë të tillë, së bashku me familjen e tij.

Nuk do të doja që këtë ta përjetojnë as shqiptarët, as serbët dhe askush tjetër, nënvizoi Haradinaj; nuk e kuptoj lojën e ndyrë që po bëhet. Në fund, ai iu kthye edhe një herë çështjes së taksës, duke përsëritur se vendimi nuk do të rrëzohet, derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet. /Ballkani.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE