Haradinaj – Zekës: Qysh po i thu hajn Agim Çekut? (Video)

Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj ka reaguar ndaj fjalimit të Milaim Zekës i cili ka thënë se seanca e sotme është thirrë palidhje dhe ka folur për disa raste të shpenzimit të parave nga ish – figura politike si Agim Çeku, Edita Tahiri e të tjerë.

“Një e kam një respekt të jashtëzakonshëm për vlerat e tij, por nuk pajtohem kur i thotë një ish-ministri hajn kur nuk është akuzu kurrë. Nuk mund t’i thotë Agim Çekut hajn kur s’ka asnjë fakt për këtë. Nuk pajtohem me Edita Tahirin kurrë për qëndrimet që ka por ajo ka qenë në delegacion të Kosovës në bisedime me Serbinë. Nesër do ta kemi edhe një raport për delegacionin aktual, do ta kemi një raport tjetër, sepse ata njerëz që shkojnë atje nuk mund të flejnë nëpër stacione të trenit”, ka thënë Haradinaj.

Milaim Zeka, duke thënë se kjo seancë është thirrur kot, ka thënë se asnjëherë nuk është bërë debat për bustin e Skënderbeut në Prishtinë si dhe ka përmendur mbi 1 milion euro të shpenzuara nga Agim Çeku në kohën sa ka qenë ministër.

“Është shkru faktura mbi 800 mijë euro dhe për këtë nuk është bërë asnjë herë debat. Nuk është bë debat asnjëherë debat për 1.8 milionë euro për planin strategjik në kohën e Agim Çekut” , ka thënë Zeka.

Kuvendi i Kosovës debaton në seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës: shpenzimet e Qeverisë. Fokusi kryesor i debatit të sotëm, është shpenzimi i 500 mijë eurove për përvjetorin e pavarësisë, për të cilën, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila edhe e ka thirrur këtë seancë, ka thënë se në fund të debatit do ta propozojë një rezolutë me dy pika, në njërën prej të cilave, kërkohet raport nga Qeveria e Kosovës për shpenzimin e këtyre parave.

E vetë kryeminstri Ramush Haradinaj, ka thënë se për pavarësi janë shpenzuar 175 mijë, e jo 500 mijë euro, duke shtuar se ai ka kërkuar nga Auditori një raport të detajuar për shpenzimet e asaj dite.

“Më pas do ta kuptojmë të vërtetën”, ka thënë Haradinaj. /Periskopi/

SHPËRNDAJE