Haradinajt i vjen ultimatumi i radhës: Afat deri me 11 janar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kohë deri më 11 janar për t’iu përgjigjur kërkesës për rritje të pagave nga punëtorët e sektorit publik të përfaqësuar nga BSPK.

< Atij do t’i duhet që deri më 11 janar t’i jap përgjigje edhe kërkesave për rritje të pagës të parashtruara nga disa sindikata anëtare të BSPK-së, në të kundërtën do të përballet me protesta dhe greva. Kështu së paku paralajmërohet në letrën që i është dërguar kryeministrit Haradinaj nga BSPK, ku shprehet pakënaqësi me rritjen e pagave prej 4 % të paralajmëruar nga qeveria Haradinaj. Lajmin për dhënien e këtij ultimatumi, për KALLXO.com e konfirmoi kryetari  i Sindikatës së Punëtorëve të Judikaturës së Kosovës, Asllan Rusinovci. “Ne dje kemi pas mbledhjen në BSPK edhe kemi bërë  një shkrese Kryeministrit ku i kemi dhanë afat deri më 11 janar për përgjigje, sepse na duhet me i ndjek format ligjore dhe ne i kemi dhanë ultimatum deri më 11 janar  dhe nëse nuk na përgjigjen  deri më atë datë, ne me datë 12 janar do të mbajmë mbledhje të kryesisë  dhe do të vendosim se kur të hyjmë në protestë dhe pastaj kur në grevë”, tha Rusninovci për KALLXO.com. Rusinovci tha se ngritja e pagave në nivel vendi për vetëm 4 % është e papranueshme teksa tregoi kërkesat e sindikalistëve. “Ne kemi kërkuar që ngritja prej 4 % të jetë e bazuar ne pagën aktuale të kryeministrit. Pra 4 % të llogaritet nga paga aktuale e kryeministrit e jo nga pagat tona”, tha Rusinovci. Rusinovci, tha se nëse kërkesat e tyre nuk miratohen nga kryeministri, qysh më datë 12 janar do të mblidhen dhe do të vendosin për protesta dhe greva eventuale. KALLXO.com, dje raportoi se punëtorët e gjyqësorit janë duke e konsideruar grevën si opsion nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre nga kryeministri Haradinaj dhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

SHPËRNDAJE