Haxhi Panxha mohon vrasjen e dy vëllezërve

Familja, anëtarë të së cilës u arrestuan për vrasjen e dy vëllezërve në Kosuriq të Pejës mohon lidhjen me këtë krim.

Familja Panxha nga Kosuriqi i Pejës, tre anëtarë të së cilës u arrestuan nën dyshimet për vrasjen në mesnatë në pyllin e këtij fshati të vëllezërve Arsim e Ramiz Berisha, mohuan përfshirjen e të arrestuarve në ngjarjen e rëndë të minutave të parë të ditës së sotme.

Sot në mëngjes u arrestuan tre vëllezër me mbiemrin Panxha, ndërsa Haxhi Panxha, vëllai tjetër i të arrestuarve, tregoi si policia hynë në oborrin e shtëpisë.

“Na nuk e dimë veç kur i kemi parë policinë në oborr. Me ata persona kurrë diçka s’kemi pasur,miq i kemi. Sen nuk di ma gat”, tha Panxha.

KALLXO.com shkroi sot për arrestimin e tre personave nën dyshimet për vrasjen e dy vëllezërve.

Haxhi Panxha pranoi kur foli për KALLXO.com se mali ku u krye vrasja e sotme e dyfishtë është pronë e vëllezërve të tij të arrestuar, por mohoi lidhjen e tyre me vrasjet.

Panxha tregoi se vëllezërit e tij ishin në gjumë kur policia erdhi t’i arrestojë.

“Po mali është pronë e vëllezërve, amo s’kemi të bëjmë me atë punë hiq asnjë. Jemi befasuar vetë kur e kemi parë policinë ne natje (mëngjes) se janë ardhë, i kanë arrestuar tre vëllezërit, fjetur kanë qenë”, tha ai.

Panxha foli edhe për vrasjet e dy vëllezërve tjerë Berisha në vitin 2006. Tha se familja e tij nuk ishte e përfshirë as në ato vrasje.

“Atyre ju kanë vra (djemtë) me tjerë kushëri, kurrgjë s’kemi të bëjmë ne me ata hiq, kurrfarë lidhje me ta s’kemi për ketë rast”, tha ai për KALLXO.com.

Panxha insistoi se me familjen Berisha familja e tij kurrë nuk ka pasur asnjë të keqe.

“Kurrë marrëdhënie të këqija nuk kemi pasur me ta, miq jemi, kurrë prish ndër veti nuk jemi, as kurrë sen s’kemi pasur njëri me tjetrin”,tha Haxhi Panxha për KALLXO.com.

SHPËRNDAJE