“Hazi” i Shpend Ahmetit pas dorëheqjes

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nga kjo e diele nuk është më edhe Kryetar i PSD-së.

Kjo pasi dha dorëheqje nga ky post, pas rezultatit të dobët që partia e tij e cila ishte në koalicion me AAK-në e Ramush Haradinajt pati në zgjedhjet e 6 Tetorit.

Kështu, arsye tjetër për të cilën tha që po jep dorëheqje është edhe angazhimi si Kryetar i Prishtinës, për të cilin tha që tash e pas do të jetë edhe angazhimi i vetëm.

“E para si marrje e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, por arsyeja kryesore është angazhimi kryesor dhe i vetëm i imi në Komunën e Prishtinës. Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë insitucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017”, pati shkruar Ahmeti.

E se këtë punë e ka marrë seriozisht e me “haz” shihet edhe në postimet e tij në Facebook, shkruan gazeta inFokus.

Kjo, sidomos kur dihet se sot është e diele e ditë pushimi dhe nëse krahasohet me vetëm një të diele para kësaj, atëherë vërehen edhe ndryshimet e mëdha të tij.

Në fakt, të dielën e kaluar të 8 Dhjetorit, Ahmeti në Facebook, pati vetëm një postim dhe ai nuk kishte të bënte me ndonjë punë që po kryhej në Prishtinë, por me ndihmat për tërmetin në Shqipëri.

Kjo duke lajmëruar se grupi i inxhinierëve vullnetar po vazhdon ofrimin e ekspertizës së tyre në Shqipëri.

Ndërsa sot, kur dha dorëheqje, si duket në tentim që të tregoj se e ka njëmend atë që tha, e ka mbushur rrjetin e tij social me postime nga punët që po kryhen në Prishtinë.

Në fillim, një ore para se të jepte lajmin që më nuk do të jetë kryetar i PSD-së, publikoi disa fotografi të vendosjes së semaforëve në lagjen Arbëria.

Pastaj, 20 minuta para se të japi lajmin e dorëheqjes, publikoi edhe disa fotografi të shtegut të këmbësorëve në lagjen Dardania, e e cila sipas tij është para përfundimit.

Gjysmë ore pasi dha lajmin se nuk është më Kryetar i PSD-së vjen edhe postimi i tretë për punët në kryeqytet.

Tash është rregullimi i shtegut tek rruga “Sylejman Vokshi”, shkruan gazeta inFokus.

Postimi i katërt është për Rrugën B, ku tregon sanimin e trotuarit në këtë pjesë të Prishtinës.

Dhe postimi i pestë është në ora 16:30, ku thotë që tashmë trotuarët e rregulluar në Bregun e Diellit do të mundësojnë ecjen në këmbë të prindërve me fëmijët dhe qasje më të lehtë.

Pra këtë të diele, pas dorëheqjes, Shpend Ahmeti, ka pasur pesë herë më shumë postime për kryeqytetin në Facebook se sa të dielën e kaluar.

E kjo, ende pa përfunduar krejt dita, por vetëm deri në ora 17./Gazeta inFokus/

SHPËRNDAJE