Haziri për zëvendësimin e taksës me reciprocitet: Nuk i jep oksigjen politik situatës së rënduar

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka komentuar vendimin e Qeverisë në detyrë, që taksa 100 për qind për Serbinë të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.

Haziri ka thënë se vendimi i taksës 100 për qind ka qenë veprim politik me pasoja.

“Sa e di unë edhe herën e parë kur është bërë largimi i taksës për lëndën e parë, ministrat e LDK-së nuk kanë qenë aty. Edhe kësaj here sido që është votu, në parim është bërë veprim politik por me pasoja, pasoja e parë po e merr Qeverinë e dytë me veti, pasi që edhe dorëheqja e Haradinajt ka qenë për shkak të presionit të tarifës dhe mos arritjes me u koordinu me partnerë, por edhe Qeveria Kurti shkoi si pasojë e mos koordinimit me partnerë strategjik lidhur me tarifën”, ka pohuar Haziri në Zyrën e Ankesave në RTV Dukagjini.

Haziri ka shtuar më tej se largimi i taksës është bërë pa koordinim me Qeverinë amerikane.

“Largimi i sotshëm është pa kurrfarë koordinimi pa kurrfarë angazhimi, sidomos me Qeverinë amerikane, është me pasoja prapë, nuk shoh diçka që i jep oksigjen politik kësaj situate të rënduar politike”, tha ai.

Në fund, Haziri theksoi se në të ardhmen reciprociteti më shumë do të përdoret si slogan se sa si masë.

SHPËRNDAJE