Heshtja e “guximshme” e Presidentit frikacak. Përse Hashim Thaçi duhet të hap hartat para publikut!

Shkruan: Astrit Gashi

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duhet të ndërprejë lojën e nervave të cilën po luan me qytetarët e Kosovës dhe të flasë hapur para opinionit publik, se për çfarë zgjidhje të re për Kosovën është duke diskutuar prapa kulisave me Serbinë, si dhe lobistë të shumtë të dyanshëm.

Hapja e temës në mënyrën se si po e servon Presidenti i frikësuar edhe nga ajo se kah po hyn dhe si do të del në epilog, po e tmerron opinionin publik dhe po e mban të hutuar përmes dezinformimit të cilin kryen e herës po e krijon ai.

Thaçi duhet të ndalë fabrikën e “fake news”, të vetmen që ka ndërtuar ai qe 20 vite, prej sa është kryezotëruesi i Kosovës.

Ai duhet të hapë në mënyrë të drejtpërdrejt temën, të cilën me përplot dështime po tenton ta hapë muajve të fundit duke polarizuar opinionin publik e duke u fshehur menjëherë pastaj pas deklaratave për “fake news”.

Qytetarët e Kosovës nuk mund të mbahen përherë të traumatiziar nga një President që shitet i guximshëm, por vepron si frikacak, dhe i bartë ata nga njëra deklaratë në tjetrën, herë me demarkacion, herë me përmirësim kufiri, e herë me bashkim të Luginës me Kosovën, në mënyrë që qysh të nesërmen në mëngjes t’i hedh poshtë vet ai secilin nga këto opsione.

Thaçi duhet të ndalet së qenuri “problematik” me qytetarin e Kosovës dhe t’i tregojë atij se çfarë po zien ai për shtetin tonë këto momente.

Të tregojë se si e sheh ai tash projektin e shtetit të Kosovës, kur të gjithë menduam se ai ishte i përmbyllur, dhe të sqarojë pse tani po e hapë në veri e në lindje.

Sigurisht se para se të tregojë se si e sheh Kosovën tani, udhëheqësi i gjithfuqishëm i vendit, por pa përkrahje të brendshme, duhet të na dëshmojë së pari se si ai, parasegjithash ai, sepse ishte në krye të vendit për më së gjati, thjeshtë dështoi të ndërtojë shtetin e Kosovës kështu si është sot, në një vend të rrumbullakosuar nga jashtë dhe të prosperuar nga brenda. Të na tregojë se si në një moment dhe për shumë vite, vendosi të ndërtojë veten e tij dhe pasurinë e tij, e jo shtetin e përbashkët. Të bëhet i guximshëm, e të kërkojë falje, dhe më pas të del po me aq trimëri të na tregojë se si e sheh tash vendin dhe ku mendja e tij dëshiron ta dërgojë atë. Pra nuk mundet Thaçi të injorojë të kaluarën edhe të zymt të tij, për të na e shitur si një lëvizje të mençur të ardhmen. Jo pa reflektuar dhe jo pa u sqaruar.

Pastaj duhet të flasim se ku jemi sot e ku do të përfundojmë nesër.
Presidenti duhet t’i tregojë qytetarëve të Kosovës, se si e sheh ai Kosovën nesër, se çfarë mendon ai me përmbylljen e konfliktit me Serbinë dhe pranimin në OKB.

Nëse këtë e sheh si një trampë kufinjësh në veri dhe në lindje. Ku e sheh ai Mitrovicën, e si mendon ta furnizojmë me ujë Kosovën. Dhe si kjo është më e rëndësishme, se ku e mbështet besimin e tij se një marrëveshje që nënshkruajmë sot me Serbinë, nuk do të na dalë si shumë të tjera të nënshkruara edhe nga ai, vetëm si zgjidhje e përkohshme.

Presidenti, po të jetë nevoja, duhet t’i hapë hartat edhe para opinionit publik, njejtë si i hapë direkt apo indirekt para e me Vuciqin. Kosova nuk është toka e babait të tij, por pronë e përbashkët e të gjithëve, andaj transparenca është e domosdoshme, së pari me bashkëpronarët e këtij vendi e pastaj me palët tjera.

Thaçi duhet të na tregojë se si do dukej Kosova në mendjen e tij qysh vitin e ardhshëm dhe përse ai e sheh ashtu. Të na tregojë nëse Kosova do të jetë një shtet i pavarur i pranuar në OKB, apo se këtu do të arrijë vetëm duke u bërë pjesë e një Konfederate me Shqipërinë. Duhet të na dëftojë edhe si do dukej e organizuar kjo konfederatë e re, që të akomodojë të gjitha interesat e brendshme këtu dhe andej.

Presidenti duhet të hedh dritë mbi atë se çfarë po bën, jo vetëm se terri ku po e mban opinionin publik po e huton atë, por se ky terr rrezikon ta han së pari vet Thaçin. Duhet guxim për të parë publikun në sy, sepse kjo mbase mund të jetë e vetmja mënyrë, për të shpëtuar nga ai.

SHPËRNDAJE