Historiani Sabit Syla ja mbyll gojën këshilltarit të Kurtit: Kjo ishte struktura e forcave serbe në Kosovë të cilën e ka luftuar UÇK-ja

Struktura dhe organizimi forcave serbe në Kosovë më 1998 – 1999

Shkruan: Prof. Asoc. Dr. Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë

Forcat qeveritare serbe të përfshira në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999, paraqisnin një kombinim kompleks të MPB-së dhe njësive të saja speciale, të UJ dhe njësive të saja speciale, forcave paramilitare, milicive lokale dhe një asortimenti luftëtarësh të sjellë nga jashtë, që të gjithë nën urdhrat e qeverisë në Beograd. Në Kosovë gjatë tetorit 1998 kishte 14.000 pjesëtarë të MPB. Në fund të tetorit në pajtim me marrëveshjen e Tetorit (Marrëveshja Holbrok-Millosheviq) numri i pjesëtarëve të MPB (policëve) ra në 10.000.

Në mars 1999 numri i pjesëtarëve të MPB u rrit në 14.571, kurse nHis prill 1999 në Kosovë kishte 15.779 pjesëtarë të MPB. Derisa me 31 mars 1999 Korpusi i Prishtinës kishte 17.971 ushtarë, sipas raportit të luftës të datës 13 prill 1999, të cilën Korpusi i Prishtinës ia dërgonte Komandës së Armatës III dhe Shtabit Qendror, në Kosovë, nën komandën e Korpusit të Prishtinës gjendeshin gjithsej 61.892 pjesëtarë të UJ, përfshirë njësitet tjera të bashkëngjitura dhe vullnetarët.

Qeveria e Serbisë gjatë viteve 1998-1999 angazhoi në Kosovë një numër të madh të forcave policore serbe të cilët vepruan nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme (më tej: MPB) apo të SPB-ve përkatëse në kuadër të Sektorit për Siguri Publike. Kështu struktura e forcave policore ndahej: në policë të rregullt, rezervistë, Njësitë Speciale Policore (më tej: NJSP) dhe Njësia Speciale Antiiterroriste (më tej: NJSA).

Ministria e Punëve të Brendshme

Komponentët kryesorë të kësaj ministrie ishin: sektori për Siguri Publike dhe ai për Siguri Shtetërore. Kompetencat e komponentës së parë sipas ligjit serb të kohës konsistonin kryesisht në ruajtjen e rendit publik, kurse zbatimi i tyre kryhej nga Sekretariti për Punë të Brendshme (më pas: SPB). Në Serbi kishte 33 qendra të SPB. Nga ky numër shtatë qendra operonin në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Njësitë Speciale Policore – (NJSP) – gjatë viteve 1998-99 në kuadër të NJSP vepronin Brigadat 122 dhe 124 Ndërhyrëse, si dhe ekipet: 23, 35, 36, 37, 73, 85 dhe 86 të NJSP. Secila SPB në Kosovë kishte së paku një njësi speciale, kurse SPB e Prishtinës kishte dy. Gjatë periudhës korrik 1998 – 24 mars 1999 NJSP në Kosovë përdorte zakonisht uniforma të kamufluara me ngjyrë të kaltër. Ata bartnin etiketën “Milicija”. Trajnimi i pjesëtarëve të NJSP për përdorimin e armëve bëhej nga UJ. Armatimi i NJSP përbëhej nga: mina këmbësorike, granata-hedhëse të kalibrit 60 dhe 80 (apo 82), mitraleze të kalibrit 12.7 mm, top kundër-ajror, raketë-hedhës dore, raketë-hedhës zolë, etj. Kjo njesi ia kalonte policisë së rregullt për nga specializimi dhe intensiteti i trajnimeve të tyre, si dhe për nga pajisjet e sofistikuara të armatosjes. Sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë dhe të një analisti të famshëm policor në Beograd, NJSP vlerësohej të kishte 7.000 trupa, edhe pse numri i tyre mund të rritej shpejtë përmes rekrutimit të policëve të rregullt. Ministria e Mbrojtjes e Britanisë vlerësonte se NJSP kishte 5.000 pjesëtarë dhe 8.000 rezervistë të ndarë në gjashtë sektorë në Serbi.

Njësia Speciale Antiterroriste (NJSA) – e njohur në opinionin jugosllav si “Specialna Antiteroristička Jedinica”, NJSA ishte forcë elitare e trajnuar në mënyrë speciale dhe e armatosur me armët më moderne të kohës. E formuar në korrik të vitit 1996 NJSA përbëhej nga tre skuadra me seli në Batanjicë afër Beogradit, ku ishte edhe qendra e tyre trajnuese, në Novi Sad dhe në Prishtinë. NJSA kishte rreth dyqind pjesëtarë të cilët përdornin uniforma të kamufluara ngjyrë gjelbër-hiri dhe çizme të modelit “Gore-Tex”. Bartnin etiketën SAJ (NJSA) në shkronja cirilike, poshtë së cilës mbishkrimin “Policija”. Po ashtu bartnin emblemën me orlin dy kokësh me sfond të kuq dhe katër shkronja “S”. Nga fundi i vitit 1998 NJSA, përveç armatimit modern të llojit “Heckler-Koh”, filloi të përdorte edhe armatim të rëndë. Në automjetet e tyre u montuan mitralezët e rëndë të kalibrit 12.7 mm dhe granata-hedhës 60 deri 82 mm.

Forcat rezervë – përveç tjerash, SPB kishte për detyrë edhe organizimin e forcave rezerve policore. Në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999 ekzistuan dy lloj organizimesh të forcave rezerve policore: rezervistët e rregullt, të cilët pas mobilizimit kishin uniforma të policisë së rregullt dhe gëzonin po të njëjtat të drejta, si dhe njësia e policisë rezervë që në fakt ishin njësite lokale të përbëra ekskluzivisht nga serbët vendorë, të cilat, që nga fillimi i vitit 1998 u armatosën nga qeveria e Serbisë, një proces që u intensifikua në muajt qershor-korrik po të njëjtit vit. Krahas armatimit, këta edhe u trajnuan nga MPB dhe Ushtria Jugosllave (më tej: UJ) në përdorimin e armëve të zjarrit. Mobilizimi dhe armatosja e serbëve vendorë kishte karakter masiv. Një raport nga mbledhja e Shtabit të MPB të mbajtur me datë 28 korrik 1998 thuhej se ishin formuar 243 njësi të policisë rezervë në të cilat bënin pjesë banorët e fshatrave/qyteteve përkatëse dhe ishin armatosur rreth 54.683 njerëz, 12.170 prej të cilëve u armatosën nga MPB kurse 34.716 nga UJ, derisa 7.797 ishin armatosur qysh më herët. Për më tepër raporti theksone se në Kosovë kishin arritur edhe 5.070 armë shpërndarja e të cilave ishte duke vazhduar. U vlerësua se në këtë proces duhej armatosur rreth 60.000 persona. Një shifër prej 60.000 serbësh vendorë jep të kuptohet se ishin mobilizuar pothuaj të gjithë meshkujt serbë të aftë për armë.

Sektori i Sigurimit Shtetëror, ishte përgjegjës për ruajtjen e sigurisë dhe të identitetit shtetëror, kurse detyrat e tij përfshinin aktivitete informuese, kundër-informuese, etj. Në Kosovë kishte tre qendra të Sigurimit Shtetëror: Gjilan – me degën në Ferizaj; Prishtinë – me degën në Mitrovicë, dhe Prizren me degën në Gjakovë e Pejë. Në kuadër të Sigurimit Shtetëror kishte nivele të ndryshme të organizimit. Në kuadër të kësaj drejtorie vepronte Njësia për Operacione Speciale (NJOS), e njohur si “Jedinstvene Specialne Operacije”, që për detyrë kishte “kryerjen e detyrave të veçanta”, që përfshinin sulme në caqe të ndryshme. Kjo njësi ishte mirë e armatosur në krahasim me njësitë speciale policore. NJOS zotëronte armatimin më modern të kohës përfshirë edhe një helikopter dhe topa kundër-ajrorë. Përveç armëve të prodhuara në Jugosllavi, që përdoreshin nga MPB dhe UJ, NJOS posedonte edhe armatime perëndimore sikurse Heckler Koh, pushkë MP5, mitralezë të rëndë M2 12.5mm, etj. Personeli i NJOS përbëhej kryesisht nga pjesëtarët e ish “Beretave të kuqe” të formuara më 1991, të cilët kishin marrë pjesë në luftrat në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Në kuadër të NJOS u angazhuan edhe ekipe paramilitare, që u vunë nën kontrollin e saj, sikurse “Skorpioni” (Akrepat), “Sivi vukovi” (Ujqit e përhimtë), “Arkanovi tigrovi” (Tigrat e Arkanit), etj. Në krye të njësisë ndodhej Frenki Simatoviq, kurse komandant operativ ishte Milorad Ulemek Lukoviq, i njohur si Legija. Baza e kësaj njësie ndodhej në Deçan, diku në pjesën e pasme të Manastirit të Deçanit.

Ndryshe nga Kroacia dhe Bosnja, në Kosovë grupet paramilitare u integruan kryesisht në UJ dhe MPB, se sa që u lejuan të veprojnë të pavarura. Përkundrazi, ata operuan në bashkëpunim të ngushtë me policinë, ushtrinë, sidomos me sektorin e Sigurimit Shtetëror. Kishte raste kur paramilitarët dilnin nga kontrolli, por në përgjithësi zbarkimi i tyre në Kosovë dhe koordinimi me sektorët tjerë të aparatit të sigurisë ishte komponentë e planifikuar në Kosovë.

Ushtria e Jugosllavisë në Kosovë

UJ kishte një personel të përgjithshëm që shkonte prej 85.000 deri në 114.000, dhe të një force rezerve që shkonte deri 200.000 njerëz. UJ përbëhej nga tre komponentë: ushtria tokësore, ajrore-kundërajore dhe marina. Organi më i lartë i saj ishte Shtabi i Përgjithshëm. Ushtria tokësore ishte komponenta më e madhe dhe ndahej në tre pjesë tjera: Armata I zona e përgjegjësisë e së cilës përfshinte pjesën më të madhe të Serbisë; Armata II që përfshinte Malin e Zi; dhe Armata III zona e përgjegjësisë e së cilës përfshinte Serbinë jugore dhe Kosovën.

Armata III e Ushtrisë Jugosllave kishte këtë strukturë: Grupi Taktik i Timokut, Korpusi i Nishit, Korpusi i Leskovcit dhe Korpusi i Prishtinës (i njohur edhe si korpusi 52). Këto korpuse përbëheshin nga një numër i caktuar brigadash, batalionesh dhe ekipesh.

Gjatë vitit 1998 komandant i korpusit të Prishtinës të UJ ishte gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i cili në nëntor 1998 promovohet në pozitën e komandantit të Armatës III të UJ, në të njëjtën kohë kur gjenerali Ojdaniq u emërua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të UJ. Në vend të Pavkoviq gjenerali Vlladimir Lazareviq emërohet komandant i Korpusit të Prishtinës.

Deri në fillim të sulmeve të NATO, me 24 mars 1999, Korpusi i Prishtinë kishte më pak se 18.000 ushtarë. Ky numër ndryshoi drastikisht pasi që parashikohej sulmi tokësor i NATO. Deri më 13 prill 1999 Korpusi i Prishtinës kishte 61.892 pjesëtarë, përfshirë njësitet e bashkëngjitura dhe vullnetarët.

Në kuadër të forcave të UJ në Kosovë, përveç ushtarëve të rregullt u angazhua edhe policia ushtarake nën ombrellën e së cilës vepronin njësi të ndryshme, duke filluar nga ato që trajtonin çështje të brendshme të ushtrisë, ato që kontrollonin komunikacionin e deri tek ato që merreshin me operacione speciale dhe antiterroriste. Në kuadër të njësive speciale ushtarake gjatë prillit 1998 përfshiheshin: brigadat kufitare, Brigada 63 parashutiste, Brigada 72 speciale, njësitë antiterroriste të Policisë Ushtarake – Kobra dhe Fajkojtë, si dhe brigadat e blinduara.

Në kuadër të njësive speciale ushtarake duke filluar nga korriku i vitit 1998 u inkuadruan edhe kriminelë e grupe vrasësish të cilët po vuanin dënimin në burgun e Sremit. Pasi u liruan nga pjesa e mbetur e dënimit, ata u pajisën me uniforma, armë të ndryshme dhe kartela të pjesëtarëve të sigurimit ushtarak, dhe u dërguan në Kosovë me detyra të veçanta nën kujdesin e eprorëve ushtarakë.
Forcat rezervë të UJ – përveç rezervistëve të rregullt që u rekrutuan, në kuadër të forcave rezerve ushtarake në Kosovë u inkuadruan dhe serbët vendorë. Detyrë e këtyre serbëve ishte dhe pjesëmarrja në operacionet ushtarake në rajonet e tyre. Ishin serbët vendorë ata që udhëzuan forcat policore e ushtarake serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë, pasi ata flisnin gjuhën shqipe dhe njihnin fqinjët e tyre shqiptarë, dhe në këtë mënyrë u bënë pjesëmarrës në vrasjet dhe spastrimet etnike.

Mbrojtja territoriale dhe civile – përveç forcave të MPB dhe UJ në Kosovë vepruan edhe forca tjera të cilat ishin nën kontrollin e organeve shtetërore dhe të cilat mund të konsiderohen si “forca të RFJ dhe të Serbisë”. Këtu përfshiheshin njësitet e mbrojtjes territoriale e civile në kuadër të Ministrisë Federale të Mbrojtjes.

Nëse analizojmë tekstin e mësipërm del se gjatë viteve 1998-1999 u angazhuan së paku dhjetë organe të ndryshme që përbërnin një mekanizëm kompleks të forcave serbe që operuan në Kosovë gjatë viteve në fjalë.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, këto forca ka luftuar..!

SHPËRNDAJE