Hoti akuzoi Ramush Haradinajn për dialogun, AAK i përgjigjet kështu

Për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiun, akuzat e bëra nga shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ndaj kryeministrit Ramush Haradinaj, ku fajësoi atë për çështjen e dialogut me palën serbe, janë jo serioze.

Sepse siç thotë deputetja, qëndrimin e Haradinajt për dialogun me Serbinë dhe çështjen e kufijve e dinë që të gjithë.

“Prej kujtdo qofshin që vijnë akuzat, ne nuk i marrim fare me seriozitet, ngase qëndrimi i Haradinaj si kryeministër i Kosovës është i qartë dhe i tillë ka qenë prej fillimit. Ky qëndrim është në interes për vendin, dhe tani në këtë frymë në qoftë se ka kritika mendoj se janë prej gjithë atyre që punojnë në interes të Thaçit”, tha deputetja Haxhiu.

Haxhiu tha se të gjithë ata që po e kundërshtojnë kryeministrin Haradinajn, po e lejojnë vendin që të jetë i lirë, që të ketë korrigjim të kufijve ashtu siç ka propozuar presidenti Hashim Thaçi.

“Në fakt nëse e kundërshtojnë Haradinajn si kryeministër, kjo tregon se janë të interesuar që ta lejojnë vendin të jetë i lirë, në vazhdimin e kësaj retorike që ka presidenti në hapjen e kufijve apo ndryshimin e tyre. Pra, zotëri Hoti po punon haptazi në interesat e presidentit Thaçi”, u shpreh Haxhiu.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha që kryeministrit Haradinaj është njëri ndër penguesit kryesorë të përpjekjes për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.

“Ata që sot po përpiqen të kontrabandojnë veten në këtë dialog, kanë qenë penguesit kryesorë të përpjekjes tonë për ta mbrojtur shtetin. Të tillët kanë dëshmuar tash e sa kohë se kurdo që ju nevojitet, e vejnë në pikëpyetje shtetësinë, pozitën ndërkombëtare dhe territorin e vendit. E kanë filluar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, e po vazhdojnë sot e gjithë ditën”.

Vlen të theksohet se ditë më parë, presidenti Hashim Thaçi tha para mediave se kryeministri Haradinaj nuk është serioz me deklaratat e tij lidhur me kufijtë e Kosovës, andaj si i tillë ai duhet të korrigjohet në të kundërtën edhe mund të shkarkohet. Por, këto deklarata të Thaçit nuk i kanë bërë përshtypje kryeministrit Haradina, ai ka pohuar se ideja që të ketë lëvizje të kufijve ka vdekur shumë kohë më parë.

Madje, ai ka shtuar se kush e dëshiron karrigen e tij, ai do ia lëshoi, sepse tashmë është mësuar t’ua lirojë karrigen të tjerëve./Gazeta Blic./

SHPËRNDAJE