Hoti pritet me këngë e valle në Vushtrri

Kryeministri në detyrë Abdullah Hoti sot është pritur me këngë e valle në qytetin e Vushtrrisë, ku është bërë përurimi i Qendrës së Kulturës “Hasan Prishtina”, raporton Gazeta Online Veriu.info. 

Bashkë me një pjesë të kabinetit qeveritar, kryetarin e Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri por edhe deputeten e zonës Rrezarta Krasniqi si dhe kryetarin e Degës së LDK-së Hysni Gërguri, me rastin e përurimit të objektit të ri të Qendrës së Kulturës, në qendër të Vushtrrisë, ata kanë vizituar edhe ambiente e punës në këtë qendër.

Kryeministri Hoti ka përgëzuar qytetarët e Vushtrrisë, artistët dhe drejtuesit e Komunës, për këtë objekt shumë të rëndësishëm për artin dhe kulturën e qytetit të Vushtrrisë.

Ndërsa kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri tha se ndjehet shumë i lumtur që Vushtrria u bë me një objekt kaq të bukur të Kulturës e cila me krenari mban emrin e patriotit të paepur kombëtar Hasan Prishtina.  

Pas përurimit të Palestrës së sporteve në fshatin Samadrexhë dhe përurimit të sotëm të objektit në Vushtrri, Ministrja e kulturës në detyrë, Vlora Dumoshi, tha se Vushtrria do të jetë në vëmendjen e ministrisë së kulturës edhe në të ardhmen. /Veriu.info/