Hoxha i Klinës tregon si po bëhen varrimet në qytetin e izoluar

Imami i xhamisë së qytetit në Klinë, Hetem Desku, ka rrëfyer se si po organizohen ceremonitë mortore në qytetin e izoluar, pas rasteve të paraqitura me Coronavirus.

Desku tha se me paraqitjen e këtyre rasteve, edhe Bashkësia Islame, bashkë me degët e saj nëpër Kosovë, janë duke iu përmbajtur rregullave dhe masave të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ai tha se janë anuluar të gjitha aktivitetet fetare dhe ceremonitë mortore po kryhen shpejtë ,pa pjesëmarrje të madhe, por vetëm të familjarëve të të vdekurve.

Desku tregoi se në qytetin e Klinës gjatë këtyre ditëve sa është qyteti në izolim kanë pasur pesë raste të vdekjeve.

“Edhe ne si bashkësi islame, pasi që jemi pjesë e këtij populli, pasi që jemi pjesë e këtij vendi, edhe ne kemi marrë masat e duhura, i kemi mbyllur aktivitetet tona fetare, për arsye që t’iu shmangemi kontakteve sa më shumë me njerëz, i kemi mbyllur xhamit, i kemi mbyllur të gjitha institucionet tona. Mirëpo njerëzit apo familjaret që kanë raste të vdekjeve, ne duhet që ata t’i varrosim dhe fatkeqësisht kemi pasur pesë raste, gjatë kësaj kohe sa kemi qenë të izoluar, mirëpo është dashur që t’i varrosim. Ne i kemi këshilluar qytetarët që të mos grumbullohemi shumë, mirëpo vetëm ta kryejmë ceremoninë fetare, të shpërndahemi. Qytetarët janë përgjigj, janë të vetëdijesuar dhe qytetarët po ruhen ë të mos na troket edhe ky virus që e ka trokitur mbarë botën”, tha Desku për IndeksOnline.

Ai tutje ka theksuar se besimtarët islam janë këshilluar që të pamet, apo kohën për ngushëllim, ta shtyjnë pasi që situata të stabilizohet, për çka edhe ka has në mirëkuptimin e tyre.

Hoxha tha se edhe ata si degë e Bashkësisë Islame, pas këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë janë pajisur me të gjitha mjetet mbrojtëse.

“Jemi të pajisur me gjërat që na kanë këshilluar mjekët, me dorëza me maska dhe kryejmë ceremoninë në formën më të mirë të mundshme dhe pastaj, i lirojmë njerëzit, që gjithsecili të mbyllet në shtëpitë e veta dhe që të qëndroj larg kontaktit me njerëz, që të izolohemi sa më shumë, që të vetmohemi është për të mirën tonë”, tha Desku.

Ai në fund pati dhe një apel për të gjithë qytetarët, që të qëndrojnë të mbyllur për aq kohë sa ka paraparë qeveria, në mënyrë që ta kapërcejmë edhe këtë situatë.

“Apeloj te qytetarët që këto ditë apo këtë javë, sa ka paraparë qeveria, të izolohemi, të vetmohemi, që të gjithë së bashku ta parandalojmë këtë virus që është bukur i vështirë. Donë Zoti që ta ruaj këtë vend, këtë popull dhe të gjithë neve”, tha hoxha.

SHPËRNDAJE