Hoxhaj zbulon nëse do të flasin me Serbinë për kufijtë dhe nëse do të hiqet taksa

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj në një intervistë për lajmi.net ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe taksën ndaj mallrave serbe.

Sipas Hoxhajt, dialogu Kosovë-Serbi është një interes strategjik i Kosovës.

“Nëse ne duam që ta përmbyllim shtetndërtimin e Kosovës mendojmë se kjo mund të arrihet përmes dialogut me mbështetje amerikane. Duhet ta rrisim numrin në njohje dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Dialogu duhet të zhvillohet në përputhje me kushtetutën. Nuk do flasim me Serbinë për asnjë temë që e prek territorin sovranitetin, pavarësinë dhe rendin tonë kushtetues.

Kemi një agjendë të qartë se cilat tema duhet të adresohen në raport me Serbinë, tema që kanë të bëjnë me të kaluarën, krimet që ka bërë Serbia në Kosovë, fati i të pagjeturve e deri tek temat që kanë të bëjnë më bashkëpunim ekonomik”.

Për taksën, ai ka thënë se ka qenë një masë e përkohshme dhe në mënyrë që dialogu të vazhdojë ajo duhet të hiqet.

“Taksa duhet të mos shërbej si një parullë zgjedhore për asnjë parti politike me që ka qenë një vendim shtetëror, ata të cilët i kanë shndërruar në parulla zgjedhore vendimet shtetëror mendoj se e kanë gabim”, ka deklaruar Hoxhaj.

Nënkryetari i PDK-së, ka theksuar se koalicioni që kjo parti kërkon është ai me qytetarët.

“Mendoj që koalicioni të cilin ne e kërkojmë aktualisht është ai me qytetarët. Neve na duhet mbështetja e qytetarëve që të kem sa më shumë deputetë në Kuvend dhe që këta t’i shërbejnë Kosovës. Për atë se me kënd do hymë në koalicion paszgjedhor merr vendim kryetari i partisë, duhet të hymë me ata që Kosovën e kanë në rend të parë”, ka thënë ai.

PDK-në, Hoxhaj e ka quajtur parti të shpresës dhe optimizmit.

SHPËRNDAJE