I burgosuri që tentoi të arratiset mbrëmë nga Burgu i Dyzit, kishte ikur nga Burgu i Dubravës

Forcat të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës mbrëmë kishin rrethuar Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, raporton Periskopi.

Në media u raportua se arsyeja e rrethimit të këtij burgu ishte dyshimi për ikjen e një të burgosuri nga aty.

Indeksonline mbrëmë shkroi se personi që kishte tentuar të arratisej nga Burgu i Sigurisë së Lartë në fshatin Dyz ishte Bedri Krasniqi.

Policia ishte njoftuar më herët me planin për arratisje nga burgu, andaj reagoi duke shtuar numrin e forcave policore në këtë burg, raporton Periskopi.

Kësisoj, të burgosurit Bedri Krasniqi iu pamundësua arratisja nga burgu i Sigurisë së Lartë, ku dërgohen personat që janë të dënuar mbi 15 vjet burg.

Bedri Krasniqi është i dënuar për vrasjen e policëve, Sabahate Tolaj e Jusuf Haklaj dhe kindapimin e biznesmenit Azem Morina. Ai është i dënuar me 27 vjet heqje lirie.

Por, mbrëmë nuk ishte hera e parë që Bedri Krasniqi kishte tentuar të ikte nga burgu, raporton Periskopi.

Më 30 nëntor të vitit 2008, ai kishte arritur të ikte nga Burgu i Dubravës, ku po e vuante dënimin për vrasjen e dy policëve.

Pas arratisjes së tij, Ministria e Drejtësisë atëkohë pati suspenduar 18 zyrtarë të atij burgu.

Pas arratisjes së tij nga burgu i Dubravës në fund të vitit 2008, Krasniqi kishte kryer edhe disa vepra të tjera penale, përfshirë edhe rrëmbimin e pronarit të firmës “Gllareva” nga Gllareva e Klinës, Azem Morina, më 21 shtator të vitit 2010.

Rrëmbimi i tij ishte bërë në dalje të fshatit dhe në këmbim të kokës së tij, Krasniqi me grupin e tij kishin kërkuar 3 milionë euro.

Bedri Krasniqi ishte arrestuar sërish në dhjetor të 2010, pas dy viteve kërkim nga Policia.

Ai ishte arrestuar në shtëpinë e tij në fshatin Turjakë të Komunës së Pejës.

Krasniqi ishte kapur disa metra larg shtëpisë së tij, derisa po tentonte të ikte sërish.

Që nga arratisja e tij nga burgu, në nëntor të vitit 2008, Bedri Krasniqi, i lindur më 10 shtator 1979, nga fshati Turjakë i Komunës së Pejës, dyshohet se ka qenë i përfshirë në së paku edhe dy sulme të tjera të armatosura në Deçan, njoftonte Koha atëkohë.