I papranueshëm është dialogu që i shërben vetëm interesave të Serbisë

Shkruan: Ismajl Kurteshi

Kuvendi i Kosovës duhet t’i filloj procedurat e shkarkimit të Presidentit, i cili në prag të fillimit të dialogut përfundimtar me Serbinë, deklaron se nuk ka nevojë për vija të kuqe në këtë dialog.

Në platformën e Qeveris të marsit 2011, thuhej: Sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacenueshëm, i pa tjetërsueshëm dhe i pandashëm.

Rregullimi i brendshëm i vendit është kompetencë sovrane e institucioneve shtetërore. Plani i Ahtisarit për rregullimin e të drejtave dhe garancive për komunitetet është i pa negociueshëm.
Këto tri çështje ishin vija të kuqe për të cilat askush nuk kishte të drejt të dialogojë. Në prag të fillimit të dialogut përmbyllës, në vitin 2018, Presidenti i Kosovës deklaron se në këtë dialog nuk nevojiten vija të kuqe. Ky njeri nuk mund ta përfaqëson Kosovën, prandaj Kuvendi duhet ta filloj procedurën e shkarkimit të tij.

Në qoftë se analizohen me kujdes temat për të cilat Kosova ka dialogu me Serbinë, marrëveshjet e arritura dhe përfitimet nga ky dialog del se dialogu në mesë të Kosovës dhe Serbisë që është zhvilluat nga viti 2011 i ka shërbyer ekskluzivisht interesave të Serbisë.

Edhe nga dialogu i ardhshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë, që po pretendohet të jetë përmbyllëse, ka shumë gjasa të përfitoj Serbia në dy drejtime. Të integrohet në BE dhe ta legjitimoj ndërhyrjen në organizimin e brendshëm të Kosovës. Kurse Kosova si përherë po vazhdon të merr pjesë në dialog pa platformë, pa konsensus politik e shoqërorë dhe krejt e papërgatitur.

I. Me 10 mars 2011, Kuvendi i Kosovës pati miratuar Rezolutën përmes së cilës mbështeti “dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet…”

1. Edhe pse Kuvendi i Kosovës mbështeti dialogun në mes të dy shteteve sovrane, ende nuk është e definuar kush me kënd po negocion? Shteti i Pavarur i Kosovës me Serbinë, si që po deklaron pala Kosovare, apo Serbia me Krahinën e saj jugore, si është e definuar në Kushtetutën e Serbisë.
Pa definimin përfundimtar të kësaj çështjeje s’kanë si të definohen çështjet që janë objekt i marrëveshjeve, sepse marrëveshjet determinohen nga statusi i palëve në dialog.

2. Rezoluta e vitit 2011 e miratuar në Kuvend mbështeste dialog në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve… por gjatë dialogut është biseduar vetëm për serbët e Kosovës dhe asnjëherë nuk është diskutuar për përmirësimin e jetë së qytetarëve shqiptar, që jetojnë në trojet e tyre, në Luginën e Preshevës.

3. Kuvendi i Kosovës, përmes Rezolutës, i obligonte përfaqësuesit e Kosovës që përmes këtij dialogu të kontribuojnë në avancimin e agjendën evropiane për Kosovën. Derisa Serbia fal dialogut ka avancuar shumë në këtë drejtim, Kosova ka mbetur vendi i vetëm i izoluar në Evropë edhe për shkak të angazhimit të hapur të Serbisë për mospranimin e Kosovës në institucione të ndryshme ndërkombëtare.

4. Kuvendi përmes Rezolutës së lartpërmendur pati obliguar Qeverinë e Kosovës t’ia paraqiste Kuvendit dokumentin themelor mbi bazën e të cilit do të zhvillohet dialogu.
5. Në platformën e Qeveris të marsit 2011, vlen të veçohen këto elemente: Sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacenueshëm, i pa tjetërsueshëm dhe i pandashëm.
Rregullimi i brendshëm i vendit është kompetencë sovrane e institucioneve shtetërore.

Plani i Ahtisarit për rregullimin e të drejtave dhe garancive për komunitetet është i pa negociueshëm.
Asnjëra nga këto elemente të Platformës së Qeverisë për dialog nuk u respektuan.
II. Duke e pas parasysh se nga dialogu teknik u kalua në dialog politik Kuvendi i Kosovës me 18 tetor 2012 e autorizoj Qeverinë që ta udhëheq dialogun politik, me pjesëmarrjen e Komisioneve relevante Parlamentare. Po ashtu u kërkua nga Qeveria që të raportoj rregullisht mbi procesin e dialogut.

1. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është karakterizuar me, mungesë të konsultimeve, mungesë të platformës shtetërore, mungesë të përgatitjeve për dialog, dhe mungesë të llogaridhënie nga përfaqësuesit e Kosovës.
Kurse Komisionet Parlamentare nuk u bënë pjesë e delegacionit që dialogonte.
Dokumentet, si ai i 15 janarit 2015 të publikuar nga Edita Tahiri, ku bëhet fjalë për shtyllat e procesit të dialogut, vijat e kuqe dhe transparencën, përveç tjerash thuhet se parim themelor është mosndërhyrja në sovranitetin e njëri tjetrit, zhbërja e strukturave paralele, zgjidhja e çështjeve të reparacionit të luftës dhe suksesionit.
Koha ka dëshmuar se asgjë nga ajo që është thënë në këtë dokument nuk është realizuar.

2. Përkundër faktit se janë nënshkruar mbi 20 marrëveshje në mesë të Kosovës dhe Serbisë, Serbia respekton vetëm marrëveshjet për vulat doganore, mbledhjen e të hyrave doganore për veriun dhe njohjen e polisave të automjeteve (pra vetëm ato marrëveshje që i duhen Serbisë).
3. Vlen të përmendet se tekstet e marrëveshjeve i karakterizon dykuptimësia e tyre që pastaj ju mundëson palëve t’i interpretojnë marrëveshjet sipas interesave të tyre.

4. Serbët e Kosovës as nuk janë integruar as nuk e njohin Shtetin e Kosovës si që ndodh edhe me deputetët, ministrat dhe zyrtarët e tjerë serb.
Serbia po e minon shtetësinë e Kosovës me të gjitha mjetet.
Kosova është vend i vetëm në Evropë pa një të ardhme të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
III. Faza e re e dialogut Kosovë Serbi, nuk ndryshon nga dialogu i mëhershëm në mes të dy vendeve.
Serbia nuk ka lëvizur nga qëndrimet e saja hegjemoniste karshi Kosovës.
Pala kosovare i ka filluar bisedimet, si përherë, pa një konsultim të gjër politik apo shoqëror, pa platëformë shtetrore, pa transparencë, pa i bërë të qarta synimet që do t’i arrijë në këtë proces.

Presidenti i vendit ka shkuar në Bruksel si përherë pa miratimin e Kuvendit dhe pa marrëveshje me partitë politike, pa platformë të bisedimeve, i papërgatitur dhe jo transparent. Ky President që deklaron se nuk duhet të ketë vija të kuqe në dialog me Serbinë, nuk mundet me e përfaqësuar Kosovën. Presidenti që bisedimet i quan të vështira dhe paralajmëron koncesione të reja nuk ka as vullnet as dije dhe as guxim me i mbrojt interesat e këtij vendi.

IV. Në lidhje me Platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme, me 7 maj 2018 i rekomandoj Kuvendit të Kosovës të mos e miratoj Platformën Shtetërore për finalizimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, në formën ekzistuese. Komisioni konstatoi se Kosova duhet ta ketë platformën e saj Shtetërore e cila do të jetë rezultat i konsensusit të gjerë ndërmjet partive parlamentare.

Komisioni po ashtu rekomandoi që Kuvendi të organizojë një debat parlamentar nga i cili do të dalin rekomandimet për ndërtimin e platformës konsensuale të Shtetit të Kosovës. Rekomandimet e Komisionit nuk u përfillën. Kuvendi, i cili, duhet ta ketë rolin e tij mbikëqyrës mbi të gjitha procesin e dialogut, po injorohet.
Në fazën e re të dialogut duhet të merrte parasysh edhe vlerësimi gjithëpërfshirës i dialogut të gjertanishëm dhe marrëveshjet e arritura. Rezultatet e këtij vlerësimi duhet të reflektojnë në fazën e re të dialogut që po pretendohet të jetë ligjërisht obligativ dhe përfundimtar.

Kosova ka përjetuar marrëveshje obligative, të cilat janë quajtur edhe përfundimtare, si ajo e vitit 1912, kur Kosova është ndarë me forcë nga trungu etnik dhe është robtuar nga Serbia. Në vitin 1945 kur pas Luftës së Dytë Botërore, Kosovës edhe njëherë i imponohet vazhdimi i robërisë nën thundrën serbe .Edhe në vitin 1989 kur Kosovës i mohohen të drejtat e garantuara me Kushtetutën e vitit 1974.
Marrëveshja përfundimtare dhe afatgjatë do të arrihet vetëm kur ajo është e drejt, parimore dhe e pranueshme për qytetarët e Kosovës.
Marrëveshjet e fshehta të Presidentit të vet autorizuar, nuk janë të Kosovës, por ato vetëm sa do ta komplikojnë situatën edhe ashtu të komplikuar në Ballkan.

Ismajl Kurteshi/ qershor 2018

SHPËRNDAJE