IKSHPK: Masat si këto që hyjnë sot në fuqi kanë treguar efekt në vende të tjera

Sot kanë hyrë në fuqi masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë të cilat kufizojnë 24 orë lirinë e lëvizjes.

Keto masa janë marrë me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë kërkon që të respektohen masat e reja për parandalimin e përhapjes së virusit Covid 19, pasi sipas IKSHPK’se, masa si këto që hyjnë sot në fuqi në Kosovë, kanë treguar efekt në vende të tjera.
IKSHPK-ja edhe sot ka kërkuar nga qytetarët që të zbatohen me përpikëri të gjitha masat që parandalojnë shpërndarjen e virusit.

Ky institut kërkon që të respektohet në plotëni vendimi i ri i Ministrisë së Shendetësisë, sipas të cilit, qytetarëve u lejohet lëvizja 90 minuta brenda ditës.

Ja njoftimi i plotë:QYTETARË TË DASHUR! Sot ka filluar aplikimi i një cikli të ri të masave parandaluese ndaj përhapjes së COVID-19 në vendin tonë!

Duke qenë se këto masa janë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit tuaj, të familjes dhe popullatës në tërësi, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj në aplikimin e tyre.

Në ballafaqimin me pandeminë e COVID-19 këto janë masa të ndërmarra dhe të aplikuara edhe nga vendet tjera dhe të cilat i kanë treguar efektet e tyre.

Prandaj, ju lutemi që t’iu përmbaheni të gjitha masave të shpallura dhe të respektoni në përpikëri oraret e lëvizjes të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Edhe kur dilni në orët e përcaktuara të lëvizjes, ju lutemi të respektoni masat e distancimit fizik dhe të mos qëndroni në grumbuj qoftë edhe në oborret e shtëpive tuaja apo para hapësirave tregtare dhe sporteleve, që të mos rrezikoni veten dhe familjet tuaja!Të nderuar familjarë të të moshuarve:

Ju lutemi kujdesuni për më të dashurit tuaj të moshuar dhe për nevojat e tyre, duke u siguruar që të mos dalin nga shtëpia!

Të dashur qytetarë,Ju lutemi që t’i përmbaheni të gjitha rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Mbani distancën fizike për së paku 2 metra dhe aplikoni masat e nevojshme higjienike.Virusi nuk ka këmbë!

Mos ia jepni këmbët ju!NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!Ju faleminderit për mirëkuptim!

SHPËRNDAJE