Ilir Deda tregon arsyet për largim nga politika dhe flet për mospajtimet me Mimoza Kusarin

Ilir Deda përfundimisht nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme pasi ka thënë se nuk ka për çka të kandidojë dhe çka t’i premtojë popullit në një situatë konflikti shtetëror.

Ekskluzivisht në Rubikon, Deda foli për herë të parë për zhgënjimin e tij nga klasa politike dhe zhvillimet e fundit. Madje Deda nuk pajtohet krejtësisht edhe me qëndrimet fundit të partisë për dialogun me Serbinë, parti kjo të cilën e themeloi bashkë me Mimoza Kusarin.

Sipas tij, në reagimin e fundit të partisë ka edhe gabime në shkrim gjë që lë të kuptohet se nuk e ka nënshkrimin dhe pajtueshmërinë e tij të plotë. Primare për Ilir Dedën është që në çfarëdo forme dhe çfarëdo mjeti ta ndal Thaçin.

Deda tha se kjo gjendje dhe në këtë situatë në të cilën është kanosur vendi nuk do të kandidojë, çka e bën të dallojë me bashkëthemeluesen e Alternativës, Mimoza Kusarin, për të cilën thotë se do të kandidojë.

“Jemi të bllokuar prej zhurmës dhe konfuzionit të madh që e ka shkaktuar hapja e shtetësisë tonë… Ne jemi bashkë por i kam thënë që nuk marrë pjesë në zgjedhje, çka do t’u premtosh njerëzve”.

Deda thotë se nuk do të bëhet ekipi negociator meqë PDK nuk do ta votojë rezolutën.

“Unë mendoj që nuk do të bëhet sepse PDK nuk e përkrah ligjin dhe rezolutën sepse Thaçi e kundërshton. Ne e kemi pa menjëherë që nuk përkrahet. Është lëmsh, kaos”.

“Mbi rezolutën dhe ligjin, po more, qysh jo. Ma së miri kish qenë me qenë edhe LDK e Vetëvendosje dhe marrëveshja që pastaj të shkojmë në zgjedhje por tash këtu ka kërkesa dëshirore”, ka thënë Deda.

SHPËRNDAJE