Infektologu Valbon Krasniqi jep lajmin e shumëpritur: Nga ky muaj mund të mos ketë rrezik për të dalur

Në Klinikën Infektive po trajtohen 43 pacientë të prekur me Coronavirus derisa 8 prej tyre janë në gjendje më të rëndë.
Pesë pacientë janë me oksigjeno-terapi, e tre të tjerë në kujdesin intensiv.

Rreth gjendjes së tyre, ka folur infektologu Valbon Krasniqi.

Ai tha se 6 persona janë shëruar dhe janë liruar sot për në shtëpi.

“Për momentin në Klinikën Infektive i kemi 43 pacientë të cilët janë të prekur nga Coronavirusi. Në mëngjes i kishim 49, por siç jeni të informuar dje i kemi pasur edhe gjashtë pacientë të shëruar, kështu që ata sot janë liruar në gjendje të mirë shëndetësore. Gjendja e pacientëve që janë duke u trajtuar është stabile me përjashtim te pesë tetë pacientëve të tjerë, prej të cilëve pesë i kemi me oksigjeno- terapi ndërsa tre të tjerë i kemi në kujdesin intensiv”, u shpreh Krasniqi për Front Online.

Gjatë mëngjesit të sotëm, nga Klinika Infektive u lirua edhe 77 vjeçari nga Vitia, i cili ishte edhe pacienti i parë me këtë virus në Kosovë.

“77-vjeçari nga Vitia dje rezultoi përfundimisht i shëruar dhe bashkë me pacientët e tjerë janë liruar sot ne gjendje shumë të mirë. Gjendja e të gjithë të tjerëve është e mirë me përjashtim të atyre 8 që janë më kritike”, tha ai.

Infektologu Krasniqi për Front Online tha se shumica e të infektuarve nuk kanë nevojë fare të shtrihen në spital, me përjashtim të atyre që kanë edhe sëmundje të tjera.

“Nëse ju infektoheni nga ky virus dhe keni sëmundje të tjera ose jeni person i moshës së shtyrë atëherë ka gjasa që ta zhvilloni sëmundjen në forme më të rendë. Përndryshe, infeksioni në shumicën e rasteve kalon në formë më të lehtë, dhe shumica e rasteve mbase nuk do të kenë nevojë të shtrihen fare në spital.

 

Nga 170 e sa raste qe i kemi në Kosovë, po flas deri dje, diku rreth 70 kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive, kurse të tjerët vazhdojnë te qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ata monitorohen nga ana e ekipeve të mjekësisë familjare të komunave përkatëse si dhe nga shërbimet epidemiologjike në teren”, tha Krasniqi ndër të tjera.

Duke folur për situatën me Covid-19, infektologu Krasniqi tregoi edhe për disa lloje të mostrave.

“Bëhen dy lloje të mostrave, pacientët të cilët vijnë në klinikë dhe spitalozohen dhe kanë dyshime të bazuara me këtë infeksion, dhe mostra të cilat ekipet e institutit i marrin në teren. Ne mund të flasim vetëm për mostrat qe i dërgojmë nga ana jonë. Ne nga mbrëmë deri sot kemi dërguar 17 mostra dhe jemi në pritje të rezultateve, por ky numër është dinamik”, shtoi ai.

Në mesin e të infektuarve ka pasur edhe infermierë, por që sipas Krasniqit nuk janë në gjendje të rënduar, dhe njëra edhe është liruar nga spitali.

“Deri tani kemi pasur katër infermierë të infektuar, dhe gjendja e tyre është shumë e mirë. Njëra nga to, ajo më e moshuara është liruar sot pasi edhe ajo ka rezultuar si e shëruar. Ndërkohë që edhe dy të tjera vazhdojnë të qëndrojnë në klinikë por në gjendje të mirë, ndërsa tjetra nuk ka pasur fare nevojë të shtrihet fare në spital”, tha ai për Front Online.

Krasniqi tha se nga mesi i këtij muaji pritet të rritet numri i të infektuarve.

“Duke marrë parasysh kohën e fillimit të pandemisë, dhe tani që jemi në javën e katërt të kësaj pandemie, ne kemi shprehur shqetësimin se gjysma e muajit prill mund të jetë më kritike sa i përket numrit të të infektuarve. Megjithatë ne besojmë se gjendja shëndetësore nuk do të ketë nevojë për trajtime spitalore”, u shpreh ai për Front Online.
Pandemia Covid-19 që e nisi “rrugëtimin” muaj më parë, sipas infektologut Krasniqi nuk pritet të përfundojë përnjëherë, por gradualisht.

“Është e vështirë të thuhet se kur mund të përfundojë pandemia, por ajo që po presim është se mbase nga fillimi i muajit tjetër të ulet intensiteti i të infektuarve. Pra nuk presim një ndërprerje të përnjëhershme të pandemisë. Po shpresojmë të kemi ulje të numrit të të infektuarve dhe në mënyrë graduale të përfundojë”, përfundoi Krasniqi.

Deri tani në Kosovë janë 184 të infektuar, ku prej tyre 30 janë shëruar, ndërsa 5 kanë ndërruar jetë.

SHPËRNDAJE