Isa Mustafa e bëri drejtor bashkëpuntorin e Veliajt

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është njëri ndër shumë ata që kërkoi hetimin e rastit të pasaportave, apo siç njihet ndryshe rasti “Natali Velijaj”.

Madje nuk hezitonte të thoshte se ky rast ishte mashtrim skajshmërish i dëmshëm për vendin, por që nuk ndodhi në kohën kur ai e drejtonte ekzekutivin.

Por pavarësisht kësaj, me apo pa dashje, njërin nga të apostrofuarit e Natali Velijaj se është i përfshirë në korrupsion, Mustafa e kishte ngritur në detyrë vetëm pak kohë para se ta linte postin e kryeministrit, raporton Indeksonline.

Fjala është për Bekim Hoxhën, ku Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur me 4 prill të këtij viti, mbledhje ajo e drejtuar nga Isa Mustafa, e emëroi Hoxhën, drejtor të përgjithshëm të Agjencisë së Regjistrimit civil, për një mandat tre vjeçar.

Në një intervistë të dhënë për mediat me 21 shtator të këtij viti, Natali Velija kishte përmendur emrin e Bekim Hoxhës ku sipas saj, shumën e dhënë prej 650 mijë eurosh, Besnik Berisha i ka ndarë më zyrtarët tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme: Arben Osmani – drejtor i Regjistrit të Gjendjes Civile, Bekim Hoxha, Agim Fejzullahu – drejtor i Zyrës së Prokurimit në MPB dhe Abedin Mehmetin, kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Ajo kishte insistuar se 650 mijë euro janë dhënë për zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Bekim Hoxhës bile ja pata ble një laptop ‘HP’, si temin edhe e di që i ka dy çika binake. Qaq jam familajrizu unë me ta, që krejt jau di senet”, kishte deklaruar Velijaj.

Kryeministri Mustafa kishte thënë se skandali i pasaportave ka ndodhur në kohën kur ai nuk e drejtonte Qeverinë dhe se ky rast ishte një mashtrim i dëmshëm për vendin.

“Rasti i pasaportave ishte një mashtrim skajshmërish i dëmshëm për vendin dhe është bërë në kohën kur ne nuk ishin në Qeveri. Pra, vjedhja e 1.5 milionë ka ndodhur në kohën kur ne nuk ishim në qeveri”, kishte thënë Mustafa javë më parë.

Rikujtojmë se emërimi i Hoxhës në krye të Agjencisë së Regjistrimit civil është bërë para se Natali Velija ta përmendte publikisht emrin e Bekim Hoxhës. Në anën tjetër ende nuk ka informacione nëse Prokuroria e Shtetit ka nisur ose jo hetimet e reja në lidhje me deklarimet e Velijat.

SHPËRNDAJE