“Isa Mustafa, fituesi pa vota i pushtetit në Kosovë”

Shkruan: Ermal Mulosmani

Në pranverë të vitit 2017, Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së dhe ish-Kryeministër i atëhershëm i Kosovës, u shkarkua përmes një mocioni votëbesimi nga partneri i tij i koalicionit, PDK e Hashim Thaçit. Ky i fundit pasi i kishte përdorur mandatet e LDK-së për t’u zgjedhur në pozitën e Presidentit të Republikës, e rrëzoi Mustafën. Duket, vendimi ishte marrë të nesërmen e zgjedhjes së Presidentit dhe veç pritej momenti.
Duhet të ketë qenë një ditë e tmerrshme ajo e mocionit të mosbesimit për liderin me profil të ulët të partisë së Rugovës.

Por mësimi që mori nuk mbaroi këtu. Ishin edhe të paktën dy goditje të forta, të njëpasnjëshme, që e bënë të mendonte gjatë…

Në zgjedhjet që pasuan rënien e tij, ato të Qershorit 2017, LDK kuptoi që jo forcë e parë por as forcë e dytë nuk është. Lëvizja Vetvendosje!, me një rezultat spektakolar kishte marrë 32 deputetë duke dyfishuar numrin e votuesvë në 200 mijë. Përtej kësaj, votat e LDK-së ishin dukshëm më të pakta sesa 185 mijë që kishte marrë koalicioni LDK-AKR-Alternativa. Një dorë të madhe aty kishte Behgjet Pacolli dhe Mimoza Kusari-Lila. Pacolli kishte marrë mbi 35 mijë vota që me siguri ishin vota të ardhura, jo të LDK-së. Gjithashtu edhe 20 mijë votat e Mimoza Kusarit janë vota të ardhura nga tjetër elektorat….Unë nuk besoj që një votues i LDK-së preferon të fusë në pesëshen e qarkuar kryetar të Partive të tjera përpara figurave të partisë së tij. E trishtueshme për Mustafën të konstatonte një rënie kaq drastike të Partisë së tij, në nivelet e 130 mijë votuesve…(shih rezultatin zgjedhor të 2017-ës në faqen 5 këtu)

Rezultati i deputetëve më të votuar ishte një tjetër goditje e fortë për të. Vjosa Osmani, deputetja më kundërshtuese dhe kritikuese ndaj veprimeve të Mustafës kishte marrë 64,147 vota megjithëse për të gjetur emrin e saj në listën Mustafa duhej një vullnet milingone pasi gjendej në numrin 81.

Ish Ministri i Bukoshit kuptoi që këto vota e kishin shpëtuar nga katastrofa. Për të votuar Vjosa Osmanin, votuesi ishte i detyruar për të qarkuar së pari koalicionin LDK. Kështu, 64,147 votat e Vjosës mund të llogariten kundër Isa Mustafës por në fakt i bënë punë atij. Vjosa ishtre zëri më konsistent, ishte figura simbol anti Thaçi në LDK. Ky mësim ishte kryesori për Isa Mustafën. Ai kuptoi që votat e së ardhmes janë anti Thaçi dhe lokomotiva e tërheqjes së tyre ishte Vjosa Osmani.

Qysh nga ajo ditë, Mustafa punoi shumë për gjetjen e formulës së kthimit të rërës në flori. Ai vetë nuk e bënte dot, nuk kishte këllqe. As Gima, Dulla, Luta, Ismeti, Skënda… Metalet në flori i shndërronte Vjosa dhe dukja anti-Thaçi. Atëherë Isa e gjeti formulën: “Bajraktare e LDK-së do jetë Vjosa. Për të tjerat kujdeset ajo. Në listë do jenë edhe Antoni, Lumiri, Marigona, Fetahu. Këta edhe gurin e kthejnë në flori, këpusin vota. Këta janë LDK-ja. Ekipi i votave u hodh në fushë ndërsa Isa, Agimi, Luta, Skënda, Dulla dhe Ismeti i famshëm u hodhën në Bradash në një drekë te divani. Ata janë menaxhues të mjaltit të mbledhur nga bletët punëtore. Atë që i bëri Thaçi-Isës më keq do ia bënte Isa- Vjosës e Albinit.

Ekipi i hedhur në fushë nuk zhgënjeu, grumbulloi rreth 60-70 mijë vota më shumë sesa në 2017-ën. Tani ata duheshin hequr qafe, duheshin degdisur. Ekipi i Bradashit u kthye nga dreka dhe filloi të negociojë rezultatin e arritur në fushë nga të tjerët.
Fillimisht do i thoshte “po” bashkëqeverisjes me Kurtin. Do ia hiqte mandatin e deputetit Kurtit, Konjufcës, Vitisë, Haxhiut, Lumirit, Antonit (mandati i deputetit është i papajtueshëm me atë të ministrit ndaj të lartpërmendurit dhanë dorëheqje). Cilësia e Parlamentit erdhi në nivelin e duhur.

Sa Mustafa e dinte fort mirë, qysh në krye të herës që Albin Kurti i kishte ditët e numëruara. Qysh me datën 03 Shkurt kur ia dha votën. Ai e dinte se Grenell dhe SHBA ishte një kockë e fortë dhe Albini është i paaftë të merrte vendime të forta (po quaj vendim të fortë dorëzimin pa kushte ndaj amerikanëve). Kjo do i jepte grupit të Bradashit një alibi të fortë! Për hir të Kosovës duhej të braktisej Kurti, duhej përkrahur Amerika. Isa ishte i gatshëm për të marrë fatet e Atdheut. Vjosa ishte eleminuar, ajo tashmë nuk thirret as në mbledhjet e LDK-së.

Konservatorët janë të bindur që edhe një akademik tjetër do kishte marrë vota po aq sa ajo, madje më shumë. Atëherë pse nuk e bënë akademikun mandatar por zgjodhën Vjosën? Pse jo një tjetër por Vjosën? Sepse ata nuk dinë asgjë. Vetëm Vjosa sjell vota, vetëm Vjosa na rimëkëmb. Këtë e dinte Mustafa, prandaj e bëri. E mësoi në 2017-ën.
Sot Vjosa Osmani është defaktorizuar pa pasë asnjë faj. Më fal, ka vetëm një faj, nuk u bë pjesë e grupit të Bradash-Prapashticës. Ajo i qëndroi konsekuente bindjeve të veta, parimeve dhe jo pazareve, u qëndroi besnike premtimeve elektorale. Ajo votoi kundër mocionit për shkarkimin e Qeverisë pasi e dinte që Qeveria e ardhshme do të çonte ujë në mullirin e Hashim Thaçit. Ajo votoi kundër Qeverisë LAN pasi votat e saj ishin marrë me premtim tjetër. Të gjithë e dinë këtë gjë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Vjosa nuk mund të bëjë sikur nuk kupton. Ajo është sot e vetmuar por besnike e bindjeve të veta.

Diku lexova që PDK-ja nuk do e votojë Qeverinë Mustafa (Dulla). Kjo do të ndodhë vetëm në rast se ajo Qeveri nuk do të ketë nevojë për votat e PDK-së. Përndryshe, nërast se do i duhen, votat e PDK-së do jenë aty, të gatshme. Edhe vota e Thaçit po të duhet, Presidenti do vinte në Parlament për ta dhënë. Sepse kjo është Qeveria Thaçi-Mustafa (Dulla). Veç po e kujtoj, deputetët më të votuar të LDK-së në zgjedhjet e fundit ishin Vjosa, Kujtimi, Lumiri dhe Antoni. Në këto momente, pozita e Vjosës (sipas Isa Mustafës) është çështje e Albin Kurtit. Lumiri dhe Antoni nuk janë deputetë dhe presin me ankth nëse Isa do i fusë në Qeveri….Mundet të mos jenë as deputetë e as Ministra. Ata kishin për detyrë të merrnin vota, të tjerat i din Isa…

SHPËRNDAJE