Isa Mustafa sot do të ketë mbledhjen më të vështirë ndonjëherë: Pritet të ketë kundërshtime të ashpra

Anëtarët e Kryesisë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë filluar të mblidhen në selinë e tyre për të nisur mbledhjen e paraparë për në ora 14:00, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Anëtarët e kryesisë së LDK-së, janë parë duke hyrë në seli, ku pritet që pjesë e diskutimit në mbledhjen e sotme të jetë mundësitë për koalicionin VV-LDK.

Veriu.info mëson nga burimet e saj brenda LDK-së se kjo mbledhje do të jetë njëra më të vështirat ndonjëherë për kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa.

Kjo pasi që ai sot do të përballet me një presion të jashtëzakonshëm të disa anëtarëve të kryesisës së partisë së tij që të hyjë në koalicion me partinë e Kurtit, sidomos pas rrethanave të reja kur Kurti dërgoi propozimin e mandatarit tek presidenti Thaçi.

Mustafa pak më parë tha se gjatë mbledhjes së sotme do të diskutohet mbi qëndrimin e LDK-së pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër dhe rrjedhën e afatit 15 ditësh Kushtetues për formimin e Qeverisë.

“Në orën 14:00 e kemi kryesinë për të diskutuar për këtë çështje dhe atje e japim deklaratën”, tha Mustafa pas përfundimit të akademisë përkujtimore për nder të 14-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

SHPËRNDAJE