Ish-deputeti tregon se cilat ministri duhet t’i takojnë Vetëvendosjes

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Ali Lajçi, ka thënë se posti i presidentit nuk është dashur të përfshihej në marrëveshjen për bashkëqeverisje me LDK-në.

Ai ka thënë se përfshirja e këtij posti të lartë në marrëveshje vetëm sa është duke i rënduar bisedimet në mes të dy partive.

“Posti i presidentit nuk do të duhej të përfshihej në këtë marrëveshje, sepse ai vend nuk është mbetur vakant. Tani ka prioritete të tjera, siç është formimi i Kuvendit dhe qeverisë, për çka edhe janë mbajtur zgjedhjet e 6 tetorit. Zgjedhjet nuk janë mbajtur për presidentin, prandaj kjo çështje duhet të diskutohet kur të vijë koha”, ka thënë Lajçi në një intervistë për “Epokën e re”.

Madje Lajçi ka thënë se LDK-ja duhet të tregohet fleksibile me LV-në edhe në raport me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas tij, partia e Kurtit duhet t’i drejtojë ministritë nga të cilat varet ndryshimi në vend.

“Realisht programi ndryshues për shoqërinë dhe Kosovën është programi i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ky program sjell një alternativë ndryshuese. Në bazë të kësaj Vetëvendosje ishte dashur t’i ketë disa ministri që japin thelbin e ndryshimit, siç është Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministri e Financave, kurse të tjerat mund të udhëhiqeshin edhe nga LDK-ja”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se modeli qeverisës i LDK-së nuk ndryshon nga modelet e deritashme.

SHPËRNDAJE