Izraeli bllokon shënimin e ditëlindjes së Profetit Muhamed

Autoritetet izraelite sot parandaluan më shumë se 2.000 palestinezë të hynin në Xhaminë e Ibrahimit në Al-Khalil për të shënuar ditëlindjen e Profetit Muhamed, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i xhamisë, Hefzi Abu Sneineh për AA tha se autoritetet lejuan rreth 500 palestinezë të hynin në xhami.

“Më shumë se 2.000 palestinezë u ndaluan të hynin në xhami në një shkelje serioze të lirisë së adhurimit”, tha ai.

Sipas gazetarit të AA-së, qindra palestinezë protestuan në portat e xhamisë.

Kjo masë e Izraelit vjen pas publikimit të karikaturave që fyejnë Profetin Muhamed në Francë, të cilat kanë shkaktuar një valë zemërimi dhe protestash në të gjithë botën islame si dhe fushata për të bojkotuar produktet franceze.

I nderuar nga muslimanët dhe hebrenjtë, kompleksi i xhamisë besohet se mban vendet e varrimit të profetëve Ibrahim, Isak dhe Jakup.

Pas masakrës së vitit 1994 të 29 adhuruesve palestinezë brenda xhamisë nga ekstremisti hebre, Baruch Goldstein, Izraeli ndau xhaminë midis adhuruesve muslimanë dhe hebrenj.