Izraeli liron dy të burgosur sirianë me ndërmjetësimin e Rusisë

Izraeli i liroi të dielën dy të burgosur sirianë dhe i ktheu ata në Siri. Zyrtarët e Damaskut kanë thënë se ky operacion u ndërmjetësua nga Rusia. Në anën tjetër, rusët ia kthyen Izraelit trupin e një ushtari të zhdukur në këmbim të këtyre të burgosurve.

Rusia, e cila është aleate e rëndësishme e pushtetit sirian, këtë muaj ia ktheu Izraelit trupin dhe gjërat personale të ushtarit Zachary Baumel, i cili ishte zhdukur së bashku me dy ushtarë tjerë gjatë luftimeve të vitit 1982 me forcat siriane në Liban.

Ushtria e Izraelit njoftoi përmes një deklarate se dy të burgosur janë transferuar në zyrën e Kryqit të Kuq, e cila ndodhet në pikën kufitare të Quneitras. Sipas tyre, të burgosurit e liruar janë Ahmed Khamis dhe Zidan Taweel.

Khamis ishte anëtar i grupit “Fatah” dhe ishte burgosur në vitin 2005 pasi ishte përpjekur ta sulmonte një bazë ushtarake të Izraelit, ndërsa Taweel ishte burgosur në vitin 2008 për shkak se ishte zënë duke trafikuar drogë.

Ministri izraelit për bashkëpunim rajonal, Tzachi Hanegbi, tha se lirimi i këtyre të burgosurve nuk përbën shkëmbim me Sirinë, e cila cilësohet si shtet armik i këtij vendi. Sidoqoftë, ai tha se shpreson që ky veprim të ndikojë në kthimin e eshtrave të ushtarëve tjerë nga Siria, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

SHPËRNDAJE