Ja çka e shqetëson Albin Kurtin tek letra e presidentit Trump

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, njëherit pretendent për postin e kryeministrit të Kosovës, në emisionin “New Bugajski Hour” në RTK është pyetur nga moderatori Janusz Bugajkski se çka mendon për emërimet e të Dërguarve të Posaçëm, Palmer dhe Grenell.

Ai ka thënë se e ka lexuar me kujdes letrën e dërguar nga Presidenti Trump, në dhjetor të vitit të kaluar, raporton portali “Front Online”.

“Janë dy shprehje interesante në të. Njëra më shqetëson paksa, tjetra është mjaft shpresëdhënëse. Ajo që më shqetëson janë bisedimet për paqe. Nuk kemi biseduar për bisedime të paqes që nga Rambuje. Ato në Vjenë, në Bruksel, nuk janë bisedime për paqe.

Sepse bisedimet e paqes bëhen në kohë konflikti, lufte. Andaj, ne i quajmë bisedime për normalizim. Nuk shoh ndonjë konflikt të afërt, prandaj dhe – bisedimet për paqe – më shqetësoi”, ka thënë Kurti.

Por, një shprehje tjetër që është shumë, shumë shpresëdhënëse, sipas tij, është ‘zëri i unifikuar’.

“Presidenti Trump kërkoi nga qytetarët e Kosovës, por dhe politikanët, që të flasë me një zë. Unë pres të themelojë një ekip negociator, bashkë me opozitën dhe shoqërinë civile, në dy nivele, përfaqësim politik dhe tjetri teknik e profesional. Sepse Serbia nuk duhet të bëhet pykë në skenën politike të Kosovës”.

Sipas Kurtit, në Ballkan nuk mund të ketë marrëveshje pa SHBA-në. “Me siguri është i marrë ai që mendon që do të ketë marrëveshje e SHBA-ja nuk do ta miratojë dhe pranojë atë. Prandaj, nëse nuk e dimë nëse marrëveshja finale do të jetë e pranuar nga SHBA, duhet të kemi kujdes. Kjo duhet të na bëjë politikanë të kujdesshëm, jo në të tillë që kërcejnë për zgjidhje të shpejta.

Unë e pranoj që do të përmirësojë imazhin e të dy shteteve, marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, por kjo marrëveshje mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë e qëndrueshme. Nuk mund të kemi edhe një dështim”.

SHPËRNDAJE