Ja pse FSK-ja nuk ka të drejtë të futet në territorin e Maqedonisë, për kërkimin e dy policëve të zhdukur

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Refki Suma, ka bërë të ditur, se ende nuk ka asgjë të re lidhur me dy policët e humbur mbrëmë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit.

Ndërkohë që kërkimet për dy policët e zhdukur pas rënies në lumin Lepenc nga rrokullisja e veturës janë duke vazhduar, Suma ka thënë për KosovaPress se FSK nuk mundet të dalë në territorin e Maqedonisë pa leje të autoriteteve maqedonase në vendin ku po dyshohet se mund të gjendjen trupat e dy policëve.

“Policia maqedonase dhe ajo kosovare kanë bashkëpunim mes vete. Ata mund të kontrollojnë/ patrullojnë 5 kilometra në territore respektive. FSK nuk mundet me dalë pa leje të autoriteteve maqedonase në territorin e Maqedonisë në vendin ku po dyshohet se mund të gjendjen trupat e dy policëve të humbur mbrëmë pas një aksidenti në magjistralen Kaçanik- Hani i Elezit”, ka theksuar kryetari Suma.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë)

Komuna e Hanit të Elezit sot përmes një postimi në ueb-faqen e saj ka kërkuar nga banorët që t’iu dalin në ndihmë ekipeve të kërkim-shpëtimit.

“Kemi pa një mobilizim të mirë nga ana e qytetarëve ata na janë vënë në ndihme. Edhe unë vetë deri pak më parë isha pjesë e kërkimit të dy policëve”, tha Suma.

Përveç zhytëse të FSK-së, Policisë së Kosovës, në kërkim janë angazhuar edhe mjete të rënda si dhe nga ajri zona është vëzhguar nga KFOR-i me anë të helikopterëve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, i cili ka thënë se ende nuk kanë informacione të sakta se si ka ndodhur aksidenti i dy policëve mbrëmë rreth orës 20:45. Sipas tij, aksidenti ka ndodhur në një vend ku rruga është e papërshtatshme.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë, Naim Rexha, theksoi se kërkimet për dy policët kishin nisur mbrëmë menjëherë pas aksidentit, për t’u ndërprerë rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, për të nisur përsëri në orën 09:00.

SHPËRNDAJE