Ja sa kushtojnë avioni privat, hoteli dhe tetë veturat e Behgjet Pacollit

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka pasuri në vlerë prej miliona euro. Vetëm avioni privat i Pacollit kushton rreth 10 milionë euro, derisa hoteli në të cilin ai është pronar kap shifrën prej 42 milionë euro. Pacolli posedon edhe tetë vetura në vlerë rreth 1 milionë euro, raporton Express.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Pacolli ka deklaruar se ka pasuri në vlerë miliona euro.

Si pasuri të luajtshme, ai ka deklaruar se ka avionin e tij privat që kushton rreth 10 milionë euro. Përveç avionit, Pacolli ka dhe tetë vetura jashtë Kosovës. Ai ka gjashtë mercedesa, të cilët kushtojnë qindra mijëra euro.

Pacolli ka edhe miliona euro të kursyera në banka në Prishtinë. Vetëm në një prej këtyre bankave ai ka të kursyera mbi 4 milionë euro. Të hyrat e tij vjetore sillen rreth 2 milionë euro. Këto para ai i merr nga Banka Ekonomike, Mabetex Holding dhe si mëditje nga Qeveria e Kosovës. /Gazeta Express