Jashari flet për orët e humbura, tregon nëse do të ketë pushim pranveror

Derisa ka filluar seanca e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës në arsim, kryetari i Sindikatës të Bashkuar të Arsimit të Kosovës, Rrahman Jashari, thotë se çfarëdo vendimi i marrë aty, nuk do t’i zmbraps ata.

Në një intervistë për KosovaPress, Rrahmani thotë se presin nga deputetët e Kosovës që të mbrojnë ligjin e grevave të cilin e kanë votuar vet, duke kritikuar ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi dhe drejtorët e shkollave për presionin që po u bëjnë mësimdhënësve.

Ai shprehet i bindur se mësimdhënësit do të respektojnë pushimin pranveror, gjë që do të çojë shkollat në pushim javën tjetër.

Kështu, SBAShK edhe njëherë ka zgjedhur të mos përfillë vendimin e ministrit të arsimit Shyqiri Bytyqi që të zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës së janarit.

Jashari thotë se MAShT-i po shkel keq në të drejtën e fëmijëve për të pasur pushimin e tyre pranveror, të garantuar me kalendarin shkollor për vitin 2019-2020. Teksa mohon se të njëjtën po e bënë edhe SBAShK-u me këmbënguljen për të mos kompensuar orët e humbura.

E krejt kjo, sipas tij, nuk është çështje individësh apo inatesh, pasi që thotë se Këshilli drejtues i SBAShK-ut, edhe gjatë grevës, ka sjellë vendim duke u bazuar në kërkesat e mësimdhënësve të Kosovës, se orët e humbura në grevë mos të zëvendësohen.

“Pjesa dërrmuese e mësimdhënësve të Kosovës dhe shkollave do të shkojnë në pushim pranveror. Aq më tepër, përpara shumë janë thirrur në të drejtat e nxënësve, unë po e them, pikërisht këtu shkelen të drejtat ë fëmijëve, ngase edhe me kalendarin shkollor ëpr vitin 2019 është paraparë ky pushim, pasi përfundon një etapë mësimore. Fëmijët e meritojnë një pushim”, thotë ai.

Ai thotë se derisa Gjykata Themelore në Prishtinë nuk do të dalë me një vendim për vendimin e ministrit Bytyqi, SBAShK nuk do ta zmbrapset për asnjë moment.

“Ne jemi habitur me vendimin e ministrit Bytyqi, nuk është këshilluar asnjëherë me ne për orët e humbura, dhe ka dalë me vendimin e tij, për të cilin konsiderojmë jo i mbështetur në ligj dhe siç dihet ne ngritëm padi dhe po presim që gjykata të sjellë vendim meritor. E kam thënë edhe publikisht, që SBAShK-u do të veprojë ashtu siç thotë Gjykata themelore në Prishtinë. Por, deri atëherë, as të shtunave, as pushimit pranveror, nuk do të ketë zëvendësim apo kompensim të orëve të humbura në grevë”, thotë ai.

I pyetur se a po u mohon edhe SBAShK-u, nxënësve të drejtën për të përmbushur kurrikulën mësimore, Jashari thotë se “më mirë të dëmtohet ky vit shkollor që të jetë mësim për vitet tjera, në mënyrë që kërkesat e SBAShK-ut të merren parasysh”.

Ai thotë se praktika e kompensimit të orëve duhet ndërprerë, pasi që humbet kuptimi i grevave.

“Ministri i arsimit, z.Bytyqi, është dashur të bëjë një luftë shumë më të madhe te ligji i pagave, të mos i linte mësimdhënësit atje ku ishin. Dhe, ne fatkeqësisht na u desh ta zgjedhim mjetin e fundit legjitim, që është i garantuar me ligjin e grevave dhe konventa ndërkombëtare, të shkojmë në grevë. Dhe, unë po them, kjo grevë, po të ishin të gatshme institucionet, nuk do të zgjaste tri javë. Tri ofertat që na i dhanë, kanë mundur t’i bëjnë bashkë dhe të na i japin me kohë… Ata e kanë ditur se po humbet mësimi, dhe është dashur të reagojnë më herët”, shpreht ai.

Ai thekson se kryetarët e komunave dhe drejtoritë arsimore nuk është dashur ta pranojnë “pataten e nxehtë”, vendimin e ministrit Bytyqi me shpejtësi, dhe nuk është dashur që të bëjnë presion tek mësimdhënësit për të kompensuar orët.

Jashari deklaron se edhe në rast se zëvendësohen orët e humbura, nuk do të ketë seriozitet në punë, ashtu sikurse po cenohet dita e premtë për shkak të të shtunës. E kjo sipas tij, do të ndikonte negativisht në rezultatin e testit kombëtar.

Kështu, ai e sheh të rrugës që të mos ketë kompensim të orëve të humbura në mënyrë që në test kombëtar të mos përfshiheshin njësitë e fundit, të cilat nxënësit nuk i kanë mësuar. Pasi, siç thotë ai, mbajtja e orëve sa për sy e faqe, do të jepte rezultate negative në rezultatin e tyre.

E, në rast se mësimdhënësit vendosin të mbajnë orët shtesë, Jashari tha se do t’i duartrokasë ata.

Ndryshe, sot po mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për kompensimin e orëve mësimore të humbura gjatë grevës.

SHPËRNDAJE