Jep dorëheqje gjykatësja e akuzuar për korrupsion, Safete Tolaj, nëna e njërit prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Haradinaj

Pas akuzave për korrupsion, gjykatësja e Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Deçan, Safete Tolaj, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Dorëheqjen e Tolajt e ka miratuar në mbledhjen e së enjtes, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

KGJK-ja e kishte suspenduar Tolajn nga pozita e gjykatëses mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore të Pejës, dega në Deçan, më 23 janar të këtij viti.

Ndërsa, shqyrtimi fillestar në rastin e saj pritet të mbahet më 23 nëntor 2017, pasi këtë javën e kaluar e kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, gjykatësi i rastit, Agim Maliqi.

Tashmë ish-gjykatësja Safete Tolaj, akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “asgjësim apo fshehja materialit arkivor” si dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Së bashku me Tolajn, po akuzohet edhe djali i saj Fisnik Tolaj, për veprat penale “mashtrimi”, “ushtrim i ndikimit”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe i pandehuri G.Sh për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Safete Tolaj, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, përkatësisht për të pandehurin Fisnik Tolaj, ka keqpërdor autoritetin zyrtar, në atë mënyrë që, pasi e pandehura më 2 janar 2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik dhe G.Sh takohen dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jep shumën prej 1,900 euro të pandehurit Fisnik, për të ndikuar tek e pandehura, e cila më pas më 10 janar 2017, masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorëzanisë.

Tani e pandehura Safete Tolaj, sipas aktakuzës pretendohet se deri më 13 janar 2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë, dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate, e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithnjë, sipas aktakuzës, e pandehura deri më 13 janar 2017, në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj, përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që ky i fundit duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj, përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.