Jo 6 muaj, por tani – BE përsërit kërkesën për heqjen e monopolit të homologimit

Periudha prej gjashtë muajsh për të shfuqizuar Udhëzimin Administrativ 02/2018 për homologimin, po i duket shumë e gjatë Zyrës së BE-së në Kosovë. Në një përgjigje lidhur me këtë çështje, ata rikujtojnë kërkesën e bërë të hënën për Qeverinë e Kosovës që të veprojnë menjëherë, pas miratimit të Rezolutës nga Kuvendi i Kosovës që ndalon monopolin në fushën e homologimit.

Zyra e BE-së në Prishtinë ditë më parë kishte kërkuar me ngulm shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ 02/2018, pasi sipas tyre një udhëzim i tillë mundëson zgjatjen e monopolit në fushën e homologimit për kompaninë ‘EuroLab’ shpk.

Për këtë çështje u bë shumë debat në komisione parlamentare e në Kuvend, ndërkohë shqetësimet e BE-së rreth monopolit në homologim i ka mbështetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Pas gjithë këtyre ka folur ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, duke thënë se brenda një periudhe gjashtë mujore Kosova do të bëhet me udhëzim të ri administrativ, dhe se nga janari i vitit që po vjen do të krijohen mundësitë që të konkurrojnë edhe kompanitë e tjera.

“Si rajon nuk është shtrenjtë, por meqë qytetarët e kanë shprehur si shqetësim, ne do të kemi një Udhëzim administrativ dhe Ligj tjetër. Brenda gjashtë muajve Kosova do të ketë treg të lirë. Ne në janar hyjmë me shpallje të interesit për kompani të tjera”, kishte thënë Lekaj në RTK.

Por a janë shume gjashtë muaj për të shfuqizuar një udhëzim Administrativ?- për këtë çështje  drejtuar pyetje zyrës së BE-së në Prishtinë, të cilët si përgjigje kanë dhënë një reagim të lëshuar të hënën me rastin e  miratimit të rezolutës që ndalon monopolin në homologim, e në të cilin i bëhet thirrje Qeverisë që të veprojë menjëherë.

“Rezoluta e Kuvendit për homologimin e makinave mund të jetë një përparim për rritjen e konkurrencës në Kosovë. Konkurrenca e lirë është çelësi për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve, të cilët do të kenë shërbim më të mirë për më pak para. BE-ja i bën thirrje Qeverisë të veprojë menjëherë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Për të njejtën problematikë shefja e Zyrës së BE-së i kishte shkruar një letër ministrit të Infrastrutkurës, Pal Lekajt , më 9 korrik të vitit 2018.

Në letrën e saj thuhej se Zyra e BE-së kishte gjetur se Udhëzimi Administrativ i nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës, është në kundërshtim me politikat e BE-së dhe ligjet e Kosovës, saktësisht prokurimin publik dhe Ligjin për Konkurrencë dhe disa ligje të tjera.

Zyra e BE-së theksonte se Udhëzimi Administrativ i miratuar do të zgjaste edhe më tej monopolin dhjetëvjeçar në fushën e homologimit, të cilën e mban aktualisht kompania ‘EuroLab’ QAK shpk, pronë e Devollëve.

Përveç kësaj, Apostolova kishte thënë se kanë kuptuar që madje pronarët e kompanisë së homologimit janë konsultuar dhe edhe janë përfshirë në hartimin e Udhëzimit Administrativ për Determinimin dhe Përcaktimin e Kushteve për Homologim No.02/2018.

“Ne e kemi kuptuar që mbajtësit aktualë të monopolit, janë konsultuar dhe madje edhe involvuar në draftimin e Udhëzimit Administrativ”, thuhet në letrën e siguruar nga Gazeta Express, që Apostolova ia kishte dërguar Pal Lekajt në vitin 2018.

Lidhur me këtë, Apostolova ia kishte kujtuar Lekajt që është e një rëndësie të jashtëzakonshme që të shmanget konflikti i interesit. Shefja e Zyrës së BE-së gjithashtu kishte thënë se një Udhëzim i tillë Administrativ është edhe në kundërshtim me rregullat e konkurrimit, specifikisht Nenit 4 të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian (TEU) dhe nenit 101 të TFEU.

Sipas saj, pala në fjalë, kompania ‘EuroLab’ QAK shpk, nuk duhet të përfshihet në asnjë mënyrë në hartim të Udhëzimit Administrativ, pasi që është në kundërshtim edhe me politikat e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimit të Bashkimit Evropian.

“Kjo situatë mund të sjellë rezultat, i cili është në kundërshtim me rregullat e konkurrencës të theksuara në Nenin 5 të Marrëveshjes së Bashkimit Evropian (TEU) dhe Nenit 101 të TFEU, pasi që pala në fjalë nuk duhet të përfshihet në proces në asnjë mënyrë”, thuhet ndër të tjera në letër.

Kompania “EuroLab” QAK shpk që nga viti 2009 ka monopol në fushën e homologimit të veturave në Republikën e Kosovës/GazetaExpress/

SHPËRNDAJE