Jo, Kosova nuk është precedent për Nagorno-Karabakun

Përsëri e përsëri, të gjitha palët kanë deklaruar se Kosova është rast i veçantë dhe jo precedent formal ligjor. Përmendja e saj në rastin e Nagorno-Karabakut dëshmon mungesë vullneti për ta njohur këtë realitet.

Shkruan: Ayaz Rzayev (Përktheu: Nasuf Abdyli)

Kur fuqitë e mëdha perëndimore e përkrahën planin e Kosovës për pavarësi, ato qartazi paralajmëruan se Kosova është rast “sui generis” – rast që ndodh një herë, rast i veçantë sipas ligjit ndërkombëtar që nuk mund të përdoret në kurrfarë rrethane si precedent për situatat tjera. Megjithatë, në retrospektivë, kjo nuk i ndaloi separatistët që t’i referohen rastit të Kosovës kurdo që atyre u dukej si mundësi. Siç kishte thënë qartë në atë kohë historiani britanik, Timothy Garton Ash: “Kosova është unike dhe do të ketë më shumë Kosova.” Kjo së pari u dëshmua në Osetinë Jugore dhe Abkhazi më 2008 dhe më pas në Krime më 2014. Pas referendumit në Krime, presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se rasti i Kosovës, që, siç kishte thënë ai, “kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme”, është precedent i duhur për Krimenë.

Rasti i Krimesë ka hedhur dritë mbi atë se sa të dëmshme mund të jenë paraqitjet e përjashtimeve ndaj normave tashmë të themeluara të ligjit ndërkombëtar. Separatistët u bënë të bindur se qëndrimi i Perëndimit ndaj separatizmit është kryesisht çështje e inkuadrimit, pavarësisht asaj se sa herë zyrtarët perëndimorë kanë deklaruar ndryshe. Kështu, ata besojnë se mund të arrijnë sukses gjatë lobimit për kauzën e tyre në Perëndim, vetëm nëse mund të ndërtojnë një narrativë mjaftueshëm tërheqëse që do ta joshë audiencën perëndimore. Gjatë referendumit për pavarësi në Katalonjë më 2017, për shembull, strategjia e qeverisë katalonase ishte që ta detyrojë komunitetin evropian për të ndërhyrë në Spanjë duke u përpjekur që ta bindë atë se, njësoj si në Kosovë, nuk ka ndonjë zgjidhje tjetër të zbatueshme përpos ndarjes përballë “natyrës autoritare” të qeverisë spanjolle.

Taktika të ngjashme janë përdorur edhe nga qeveria armene në rastin e Nagorno-Karabakut. Rasti i Kosovës u mirëprit ngrohtësisht nga separatistët armenë në Nagorno-Karabak, suksesin e së cilës u munduan ta kopjojnë. Ata gjithashtu e përkrahën ndarjen e Krimesë, duke pretenduar se ajo ishte “një shfaqje tjetër e realizimit të së drejtës së popullit për vetëvendosje.” Për më tepër, gjatë votimit të OKB-së në mars të vitit 2014, Armenia votoi kundër rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që e përkrahte integritetin territorial të Ukrainës dhe shpalljen e aneksimit të Krimesë si ilegale. Në atë kohë, Garen Nazarian, ambasador i Armenisë në Kombet e Bashkuara, e përshkroi vendimin e Armenisë për të votuar kundër kësaj rezolute si promovim të “dekolonizimit dhe vetëvendosjes”.

Grupeve armene të të drejtave në Perëndim u pëlqen shumë që të pretendojnë se duke u bazuar në rastin e Kosovës, Shtetet e Bashkuara duhet që urgjentisht ta njohin pavarësinë e Nagorno-Karabakut. Këtë e bëjnë pavarësisht faktit që në atë kohë, Departamenti Amerikan i Shtetit në mënyrë eksplicite kishte paralajmëruar se Kosova nuk është precedent dhe nuk duhet të shihet si precedent nga asnjë vend tjetër në botë dhe se qartazi nuk është precedent për Nagorno-Karabakun. Vetë kryeministri armen, Nikol Pashinyan, në mënyrë të përsëritur ka pretenduar muajve të fundit se komuniteti ndërkombëtar duhet ta njohë Nagorno-Karabakun si shtet të pavarur duke u bazuar në parimin e ndarjes përmirësuese. Problemi është jo vetëm që doktrina e ndarjes përmirësuese – me të cilën pretendohet se ndarja mund të pranohet si zgjidhje e fundit për t’i dhënë fund shtypjes – është mit, nuk ka themel të fuqishëm teorik në ligjin ndërkombëtar, dhe në përgjithësi nuk përket në “konfliktet e ngrira” në rajonin ish-sovjetik. Kjo gjithashtu paraqet dilemë të rreme për detyrimin për të zgjedhur mes një shoqërie të integruar mirë dhe vetëvendosjes së jashtme, duke e injoruar tërësisht një qasje të tretë shumë më shumë efektive për zgjidhjen e konfliktit – vetëvendosjen e brendshme, që jo vetëm se mundëson bashkëpunim brenda grupit dhe autonomi të mjaftueshme për ekzistim të përbashkët, por gjithashtu është rruga e vetme e zbatueshme për të siguruar paqe të qëndrueshme në rajon.

Përderisa ligji ndërkombëtar e përfshin konceptin e vetëvendosjes, ai nuk e përfshin të drejtën për ndarje. Është përgjithësisht e pranueshme që e drejta për vetëvendosje nuk mund të përdoret për ta copëtuar territorin e një shteti sovran jashtë paradigmës së dekolonizimit. Përpos rasteve të dekolonizimit, ligji ndërkombëtar është në favor të realizimit të së drejtës për vetëvendosje përmes rrugëve të brendshme, ku përfshihet e drejta për vetëvendosje pa ndarje të plotë politike. Integriteti territorial i shteteve kundër ndarjes është për arsye të mira i garantuar me ligj ndërkombëtar. Nëse secili grup separatist, shpesh i udhëhequr nga format e rrezikshme të nacionalizmit, do ta ushtronte vetëvendosjen e jashtme, atëherë kjo do ta destabilizonte tërësisht rendin e tanishëm liberal ndërkombëtar.

Më pas, nganjëherë është edhe realiteti i errët i okupimit që fshihet pas fasadës shkëlqyese të vetëvendosjes. Siç ishte rasti i Krimesë, pushtuesit përpiqen që ta portretizojnë pretendimin e tyre si demokratik dhe mundohen që ta lidhin pretendimin e tyre me vlerat liberale në një mënyrë apo në një tjetër. Kur nacionalistët armenë e formuan Lëvizjen “Miatsum” (“Unifikimi”) më 1988, qëllimi përfundimtar i saj ishte që Nagorno-Karabaku t’i aneksohej Armenisë. Megjithatë, për t’i shkuar rrotull kundërshtimit ndërkombëtar të irredentizmit dhe për të fituar përballë liberalëve, okupimi më vonë u riparaqit si luftë për vetëvendosje.

Për më tepër, separatistët shpesh kërkojnë që të fitojnë keqardhje ndërkombëtare për kauzën e tyre duke u përpjekur që të paraqesin një rast moral për separatizmin. Megjithatë, problemi kryesor i së drejtës me bazë etnike për ndarje është që nganjëherë është shumë vështirë që logjika e ndarjes të dallohet nga mendësia që mbron pastërtinë etnike dhe spastrimin etnik. Duke mohuar një mundësi për një nocion më pluralist dhe më përfshirës të një kombi për të ekzistuar, pikëpamja botërore e ndarjes mund të jetë shumë prapavajtëse në natyrën e saj dhe si e tillë të jetë shëmbëlltyrë e elementeve më të këqija të nacionalizmit etnik, të cilit është munduar t’i japë fund rendi liberal i pasluftës. Zbatimi i parimit të integritetit territorial gjithashtu ka logjikë, duke marrë parasysh që tashmë ka shumë shtete të dështuara në botë që e minojnë stabilitetin e rajoneve përreth tyre dhe që e rrisin mundësinë për luftëra dhe vuajtje njerëzore.

Qeverisë armene gjithashtu i pëlqen të pretendojë se Nagorno-Karabaku e ka arritur pavarësinë “përmes një referendumi demokratik popullor.” Në praktikë, një referendum i tillë nuk është asgjë më shumë sesa anketë. Sipas ligjit ndërkombëtar, shpallja e njëanshme e pavarësisë duke u bazuar në një referendum nuk është më legjitime se ndarja e njëanshme pa votë popullore. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008, Beogradi bëri një gabim strategjik duke kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të japë vlerësim për ligjshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova e jo që të japë vlerësim për ligjshmërinë e ndarjes së Kosovës nga Serbia. Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të vendoste që ndarja e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, fuqitë kryesore evropiane do ta gjenin veten në një pozitë jashtëzakonisht të çuditshme, kur do të ishin të detyruara që të mbronin një akt që qartazi është shpallur ilegal sipas ligjit ndërkombëtar. Në anën tjetër, nëse GjND-ja do të vendoste që ndarja e Kosovës (nga Serbia) nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar, kjo do t’i kishte hapur digat për shumë akte tjera të ndarjes. Në fund, gabimi i Serbisë i lejoi GjND-së që ta shmangë adresimin e çështjes kyçe të ndarjes – nëse ekziston e drejta për ndarje – dhe në vend të kësaj ta marrë qasjen më të ngushtë të mundshme duke deklaruar se, në përgjithësi, nuk ka ndalim në ligjin ndërkombëtar kundër deklarimit të pavarësisë thjesht si deklaratë, nëse kjo nuk është e ndaluar në mënyrë eksplicite nga Këshilli i Sigurimit. Në thelb, deklarata e pavarësisë është çështje e lirisë së shprehjes. Ngjashëm si në Krime, vetëm pse disa mund të thonë se janë të pavarur nuk e bën këtë një realitet ligjërisht të detyrueshëm.

Sidoqoftë, çështja shkon më larg se kaq. Pranimi i pretendimit për vetëvendosje të jashtme, i çuar përpara kryesisht nga komuniteti etnik armen në Nagorno-Karabak, që vetiu nuk mund ta përfaqësojë popullsinë e Nagorno-Karabakut si tërësi, rrezikon që ta legjitimojë spastrimin etnik të popullsisë azere të Nagorno-Karabakut. Krimet kundër azerëve ende mohohen nga pala armene, sepse ato nuk janë në vijë me narrativën viktimizuese që  është ndërtuar me kujdes përgjatë viteve për ta legjitimuar dhunën kundër azerëve si rezistencë. Njësoj si armenët, komuniteti etnik azer i spastruar etnikisht i Nagorno-Karabakut dhe, në fakt, të gjithë qytetarët e Azerbajxhanit kanë të drejtë për vetëvendosje, gjithashtu, e cila e përfshin, mes tjerash, të drejtën për të votuar për të ardhmen e vendit të tyre dhe që vendi i tyre të mos u copëtohet.

Qeverisë armene gjithashtu i pëlqen fort që të pretendojë se Azerbajxhani nuk i njeh vuajtjet legjitime të komunitetit armen në Nagorno-Karabak, që është haptazi gënjeshtër. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë, përmes procesit të bisedimeve, Azerbajxhani nuk do t’i kishte mbrojtur të dyja komunitetet, azerët dhe armenët, në Nagorno-Karabak, që të jenë palë të interesuara të konfliktit dhe në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se është i gatshëm që t’ia ofrojë rajonit shkallën më të lartë të mundshme të autonomisë që ekziston në botë me qëllim që ta lejojë komunitetin armen që t’i ushtrojë të drejtat e veta politike dhe kulturore deri në pikën e fundit. Nëse arsyeja e vetme e këmbënguljes se ajo që ndodhi në Nagorno-Karabak ishte pushtim nga një shtet agresor është vetëm një komplot i ndërlikuar për t’i injoruar vuajtjet e banorëve lokalë, atëherë Azerbajxhani – edhe tani që negociatat qartazi dështuan dhe Azerbajxhani po e fiton luftën që donte ta shmangte për një kohë të gjatë me çdo çmim dhe pa qenë i detyruar të veprojë kështu – nuk do t’i ofronte rajonit autonomi kulturore dhe nuk do t’i dërgonte vëzhguesit dhe paqeruajtësit në rajon për ta rindërtuar besimin.

Fakt i çështjes është se armëpushimi i vitit 1994 i la territoret azere të okupuara nga Armenia. Pavarësisht se Armenia pretendon ndryshe, fakti i okuptimit është konfirmuar disa herë nga organe të paanshme ndërkombëtare. Më 2015, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut rikonfirmoi se përkrahja ushtarake  dhe politike e Armenisë për Nagorno-Karabakun kulmon në “kontroll efektiv” të rajonit. Kjo gjykatë e vuri në pah faktin e dukshëm, që ende mohohet fuqishëm nga Armenia, se “është vështirë e imagjinueshme se Nagorno-Karabaku – entitet me popullsi prej më pak se 150.000 armenëve – kishte mundësi, pa përkrahjen thelbësore ushtarake të Armenisë, të ndërtonte forcë mbrojtëse në fillim të vitit 1992 që, kundër shtetit të Azerbajxhanit me popullsi prej afro shtatë milionë banorëve, jo vetëm të krijonte kontroll në ish-rajonin autonom të Nagorno-Karabakut, por gjithashtu, para fundit të vitit 1993, t’i pushtonte të gjitha pjesët ose pjesët kryesore të shtatë distrikteve azere përreth këtij rajoni.” Koncepti i kontrollit efektiv gjendet në zemrën e nocionit të okupimit.  Ai është një “conditio sine qua non” (nga latinishtja: diçka që nuk mund të ekzistojë pa një kusht të caktuar) i okupimit luftarak.

Fatkeqësisht, në pjesën më të madhe, Perëndimi e ka shmangur dënimin e okupimit armen të Nagorno-Karabakut. Përkrahja e qartë për integritetin territorial të Ukrainës dhe dënimi i okupimit rus nga Perëndimi, bashkë me një regjim të sanksioneve ekonomike dhe masa kufizuese kundër Rusisë, qëndron në kontrast të madh me retorikën e Perëndimit rreth konfliktit të Nagorno-Karabakut. Përderisa me të drejtë e përkrah integritetin territorial të Ukrainës, Perëndimi ka qenë më i pavendosur për integritetin territorial të Azerbajxhanit. Kjo qasje “merr e zgjedh” ndaj problemit ka pasur ndikim negativ në zgjidhjen e konfliktit duke krijuar pritje të paarsyeshme për separatistët. Ata e panë këtë paqartësi si pararendëse të legjitimimit përfundimtar ndërkombëtar dhe u bënë të bindur se vazhdimi i “status quo”-së ua forcoi pozicionin e tyre, që, si rezultat, i inkurajoi ata që ta refuzojnë përfshirjen në çfarëdo negociata serioze apo që të mos bëjnë koncesione kuptimplota. Në intervistën e tij dhënë në tetor të vitit 2018, ambasadori i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara në Armeni, Richard Mills, theksoi se ishte i habitur se si shumica e armenëve që ka takuar “ishin me vendosmëri kundër kthimit të territoreve të pushtuara si pjesë e marrëveshjes me negociata”, duke paralajmëruar se “cilado marrëveshje do ta kërkojë kthimin e një pjese të territoreve të pushtuara”. Negociatat u kthyen në imitim me qëllimin e vetëm që të zvarritet procesi. Pas të gjithave, sa më shumë që e zvarrisin procesin, kështu shkonte mendja, aq më lehtë do të ishte që të bindej komuniteti ndërkombëtar që t’i pranonte faktet në terren. Një perspektivë e tillë, sado e dobët, e bëri qeverinë armene edhe më të papajtueshme dhe më pak të gatshme për kompromis, duke çuar në dështimin përfundimtar të procesit të negociatave dhe në luftën e tanishme.

Sidoqoftë, Perëndimi ende mund të ndihmojë për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore dhe afatgjate për konfliktin e Nagorno-Karabakut, por për ta bërë këtë, duhet të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj separatizmit. Rasti i Kosovës vërtet duhet të mbetet “sui generis”. Ligji ndërkombëtar është më i forti, kur normat e tij nuk lënë shumë hapësirë për interpretime destruktive dhe sipas dëshirës. Perëndimi duhet t’ua bëjë të qartë separatistëve se ndarja e njëanshme përmes dhunës dhe spastrimit etnik nuk do të tolerohet më. Perëndimi duhet t’i shtyjë separatistët që ta braktisin pozicionin e tyre maksimalist dhe t’u bëjë trysni që ta mbrojë rastin e tyre për vetëvendosje brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Azerbajxhanit. Për t’i bërë jehonë Joseph S. Nye-s, para se me nguti të bëhet thirrje për njohjen e entiteteve separatiste, dikush mund të dëshirojë që të bëjë një hap prapa dhe ta shqyrtojë versionin diplomatik të parullës antike mjekësore: Primum non nocere (së pari, mos bëj dëm). Marrë nga Nationalinterest.org / Gazeta Express

Ayaz Rzayev është hulumtues në Qendrën “Topchubashov” në Baku të Azerbajxhanit dhe kontribues në “Frontier Europe Initiative” në kuadër të Institutit të Lindjes së Mesme.