Jo që nuk po ndalen ahengjet por ka edhe të shtëna me armë

Me gjithë përhapjen e madhe të valës së re të pandemisë Covid 19 në gjithë Kosovën, kur ende vazhdojnë të janë ndaluar shumë aktivitete si dasma, ahengje e raste familjare, mjerisht ka raste që jo se nuk po zbatohen këto masa, por nga qejfi në ahengje ka edhe të shtëna me armë, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Një rast i tillë i konfiskimit të armës ka ndoshur në fshatin Polac të Skenderajt, ku ka ndërhyrë policia.

“Njësitet policore në kuadër të Stacionit Policor në Skenderaj, mbi bazën e informacionit fillestar kanë ndërmarrë veprime të shpejta policore, ku pas një kohe të shkurtër kanë identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me ç’rast në vendin e ngjarjes ku kishte aheng familjar, në cilësi të provave materiale kanë konfiskuar një armë të shkurt ( revole) me gaz, një karikator, dy fishek dhe katër gëzhoja”, ka konfirmuar zyrtarja për informim në Drejtorinë rajonale të Policisë në Mitrovicë, Fexhrije Pllana.

Në cilësi të të dyshuarit është intervistuar S.X., 29 vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë në aheng familjar.

Mësohet se pas procedurave intervistuese me urdhër të prokurorit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe i është iniciuar rasti ’’përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’’ dhe ‘’mbajtje në pronësi, kontroll apo në posedim të paautorizuar të armëve”. /Veriu.info/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE