“Ju vdekshin fëmijët!” Si u sulmuan sot me karrige gjyqtarët e gazetarët

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda la në fuqi vendimin e dhënë nga shkalla më e ulët për të pandehurit e grupit të zjarrit të Lazaratit.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda konfirmoi dënimet e 11 të përfshirëve në sulmin ndaj policisë verën e 2015-s në fshatin Lazarat ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s Ibrahim Basha.

U shpallen dy dënime të përjetshme dhe 147 vite burgim. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për vrasje të oficerit të policisë dhe vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy oficerëve të tjerë.

I vetmi ndryshim ishte për dy prej të akuzuarve Alban Aliko që iu zbrit dënimi në 17 vjet e gashte muaj burgim si edhe Elsion Kazma, i cili mori gjithashtu të njëjtin dënim për shkak të moshës së mitur kur ndodhi sulmi ndaj policisë së shtetit.

Por shpallja e vendimit që u deklarua pa praninë e kamerave u shoqërua me tensione në sallë, kur sapo u lexua vendimi ndaj Gjykatës u flakën karrige nga familjarët. Ata mallkuan gjyqtarët ‘ju vdekshin fëmijët’ ndërkohë që sulmet dhe kërcënimet u hodhën edhe ndaj gazetareve që mbulojnë çështjet e gjyqësorit.

Gazetarët dhe kameramanët u sulmuan në dalje të gjykatës nga familjarët. Policia ndërhyri me vonesë duke mos parandaluar në këtë mënyrë incidentin, i cili ishte i paralajmëruar përderisa e njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë seancave të mëparshme në adresë të gazetarëve.

Dënime të përjetshme morën Arbjon Aliko dhe Bajram Boci që konsiderohen nga akuza si grupi i zjarrit. Në 2015, një vit pasi Lazarati ishte vendosur nën kontrollin e shtetit 11 persona thotë Prokuroria organizuan sulm ndaj policisë për të rimarrë kontrollin e fshatit dhe për të vijuar me kultivimin e kanabisit.

Për incidentin foli Avokati i Ruhan Hirajt, i cili këmbëngul se personi që vrau oficerin Ibrahim Basha është ende i lirë.

Pritet që avokatët të dorëzojnë rekurs në Gjykatën e Lartë./tch

SHPËRNDAJE