Judah pasi sheh Hotin tek zbarkon në Elysee: U gabova, dialogu bëjka edhe pa Thaçin

Gazetari i njohur britanik dhe njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, Tim Judah, thotë se ka gabuar kur ka menduar që pa Thaçin pjesë të ekuacionit, nuk do të ketë asgjë sa i përket rinisjes së dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Një qëndrim të tillë Judah e ka thënë pasi ka parë kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin, teksa ka zbarkuar para pallatit presidencial Elysee në Paris dhe pritjen që i është bërë nga presidenti, Emmanuel Macron.

“Javën e fundit, mendoja që me Thaçin jashtë ekuacionit, asgjë s’mund të ndodh për rinisjen e dialogut tash për tash, por me gjithë këto planifikime e aktivitete për ditët në vijim, duke filluar me këtë takimin e sotëm të Hotit me Macron, mendoj se kam gabuar”, ka thënë Judah.

Ai tutje ka thënë se të gjitha këto takime që janë planifikuar nuk do të jenë vetëm për shou.

“Ata nuk do ta bëjnë gjithë këtë vetëm për shou”, ka shtuar Judah.

Pas këtij takimi në Paris, Hoti do të participojë në Samitin virtual të Parisit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e që do të mbahet më 10 korrik.

Pas këtij Samiti, Hoti do të udhëtojë për në Bruksel, për takimin me Vuçiqin, që do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borell.

SHPËRNDAJE