Juve refuzon sërish ofertën e PSG-së për Alex Sandron

Juventusi ia ka mbyllur derën Paris Saint-Germainit në përpjekje për ta transferuar Alex Sandron – bën të ditur Sky Sport Italia.

Kampioni francez ka kohë që ka shprehur interesim për mbrojtësin e krahut, mirëpo oferta më e re ka ardhur pak ditë para se të mbyllet afati kalimtar në Serie A.

Sipas njoftimit, përgjigja e Bianconerëve ka qenë negative, meqenëse nuk duan ta shesin brazilianin pa gjetur zëvendësim.

Në ndërkohë, vazhdojnë thashethemet se mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo, mund të kalojë në Torino.

Gjatë një konference për shtyp të martën, ai nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që të bashkohet me Cristiano Ronaldon te Zonja e Vjetër. Thjesht nuk ka dashur ta komentojë.

Marcelo dhe Cristiano Ronaldo (Foto: Getty Images)

Afati kalimtar në kampionatin italian mbyllet të premten, prandaj Juve duhet ta transferojë Marcelon këto ditë dhe pastaj mund të ketë kohë për të arritur marrëveshje për shitjen e Sandros.

27-vjeçari luan te kampioni i Italisë nga viti 2015, kur u transferua nga Porto. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE