Juventusi sakrifikon Dybalan për Pogban

E përditshmja italiane, Gazzetta dello Sport, raporton se Juventusi është i gatshëm ta sakrifikojë Paulo Dybala për Paul Pogban, mirëpo Manchester Unitedi vazhdon të insistojë se nuk do të pranojë ofertën nën 150 milionë euro për francezin.

Pas deklaratës së Paul Pogbas se kjo verë mund të jetë momenti i përsosur për të për ta nisur ndonjë projekt të ri në karrierë, Juventusi i filloi bisedimet me agjentin e mesfushorit, Mino Raiolan, transmeton Gazeta Express.

Juventusi e dëshiron me ngulm kthimin e Pogbas në skuadër, aq sa drejtori sportiv i klubit, Fabio Paratici, është i gatshëm t’ia ofrojë Manchester Unitedit 60 deri në 70 milionë euro plus Dybalan për mesfushorin.

E ardhmja e sulmuesit argjentinas pritet të vendoset së shpejti pasi që misioni i tij me Kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës mori fund mbrëmë, pas disfatës në gjysmëfinale kundër Brazilit.

Manchester Unitedi ka qenë i interesuar për Dybalan tash e një kohë të gjatë, mirëpo “Djajtë e kuq” nuk janë të gatshëm të pranojnë ndonjë ofertë përveç prej 150 milionë eurove për shitjen e Pogbas.

Edhe Real Madridi mbetet njëri ndër klubet favorite për ta transferuar 26-vjeçarin dhe ata duan që transferimi i Pogbas të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Manchester Unitedi e fillon turneun parasezonal më 13 korrik me një ndeshje miqësore kundër skuadrës australiane, Perth Glory. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE