Kadri Veseli ende asnjë fjalë për idenë e Thaçit për korrigjim kufijsh

Kryetari formal i PDK’së, Kadri Veseli, ende s’e ka thënë asnjë fjalë për idenë e Hashim Thaçit për korrigjim kufijsh dhe bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën. Nuk është hera e parë kur Veseli mbetet nën hijen e Presidentit. Megjithëse zyrtarët e Kabinetit të Kryeparlamentarit kanë paralajmëruar se Veseli do të fliste të shtunën.

Hashim Thaçi është duke mbajtur pothuajse për çdo ditë konferenca për shtyp për të shtyrë idenë e tij përpara për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Por, krejt i heshtur, pa thënë asnjë fjalë, po qëndron Kadri Veseli, Kryetar formal i PDK’së dhe kryeparlamentar.

Thaçi ka kërkuar publikisht nga të gjitha partitë të bëhen pjesë e projektit të tij, ndërsa, nuk ka marrë ende përgjigje nga Shefi i PDK’së, parti kjo e themeluar dhe udhëhequr nga Presidenti aktual deri kur u bë Shef i Shtetit.

Deri më tash, LDK, AAK e NISMA kanë dalë kundër idesë së Presidentit. Ndërsa, Vetëvendosje sikurse Kadri Veseli nuk kanë folur shumë për idenë e ndryshimit të kufijve.

Presidenti Thaçi është përplasur për idenë e tij për korrigjim kufijsh edhe me Sali Berishën, i cili doli kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe Ballkanit.

Thaçi edhe sot tha se dëshiron që Kosovës t’ia bashkëngjes Luginën e Preshevës.

Sidoqoftë, nuk është hera e parë kur Kadri Veseli se ka të qartë se si duhet të pozicionohet në situata të rënda për PDK’në, sidomos në raport me Hashim Thaçin.

Kur Presidenti nisi zhbërjen e Gjykatës Speciale, Veseli ishte fshehur, për të dalë pastaj pas një jave me një qëndrim tek pasi ishte qartësuar gjithçka se nisma kishte dështuar.

Kur shpërtheu skandali i kidpanimit të gjashtë turqve, Veseli i tha disa deklarata por më vonë heshti dhe e çoi deri në fund zbulimin e këtij skandali siç kishte premtuar.

Edhe kur Thaçi kishte arritur të lidhte koalicionin me AAK e NISMA’në, Veseli ishte gjendur para aktit të krye dhe kishte pranuar të mbetej nën hijen e Ramush Haradinajt.

Lideri formal i PDK’së ishte nënshtruar dhe poshtëruar edhe kur Thaçi, krye në veti, kishte vendosur t’i jepte pushtet AKR’së së Behgjet Pacollit aq sa kishte marrë PDK’në, në koalicionin aktual.

Veseli me PDK’në ka arritur të humbë disa prej komunave kryesore si Prizrenin e Vushtrrinë dhe ka dështuat edhe të fitojë në Mitrovicë.

SHPËRNDAJE