Kadri Veseli nga Haga ka një porosi të qartë për Albin Kurtin

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli qëndroi sot në Hagë, për t’u intervistuar nga prokurorët e Dhomave të Specializuara për disa orë radhazi.

Pas përfundimit të intervistimit të sotëm, Veseli deklaroi se nuk dëshiron të tregojë në çfarë cilësie është interivstuar duke thënë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë.

Ndër të tjerash në një deklarim që pati për Klan, Veseli u pyet gjithashtu për deklaratën e dikurshme të Albin Kurtit ku tha se ‘Kur Vetëvendosje do të jetë në Qeveri nesër, Vetëvendosje është subjekti qeveri që juve nuk ju dorëzon në Gjykatën Speciale, se na s’e njohim Specialen’.

“Nuk do të ishte korrekte nga ana ime të interpretojë diçka, edhe pse po të më kishit pyetur në Prishtinë do të jepja përgjigje që do të ndodhte ashtu. Nuk duhet ndërruar qëndrimet tona as kur jemi në pozitë, as në opozitë, duhet të kemi korrektësi.

Është lehtë me mashtru popullin tënd, në një rrethanë të caktume edhe më lehtë. Por duhet të jemi korrekt, t’i shkojmë gjërave deri në fund, e çfarë duhet të fokusohemi është ta mbrojmë këtë të vërtetë ne. E krejt kjo lidhet me një gjë, fëmijët tanë duhet të kenë perspektivë të sigurt dhe të qartë dhe kjo arrihet kur Kosova është në OKB, NATO e në BE, kur ka zhvillim ekonomik, mirëqenie shtet ligjor.

Është e pandershme të mbash qëndrimet që ndërlidhen nga momentumi yt, apo nga një frikë e caktuar. Kush ka frikë do të vdesë frikacak, kur të jetë i drejtë do të jetë gjithmonë në anën e drejtësisë. Kështu do të jem unë, më ka përcjell kjo i bëra 52 vjet dhe s’besoj se do të më ndalë. Besoj në kombin tim, në vlerat e kombit tim”, tha Veseli.

Veseli tha poashtu se uron që kurrë mos të ketë më luftë me Serbinë.

“Ishallah kurrë më nuk ndodhë lufta me Serbinë, por jemi për shtet ligjor, partneritet me ushtri e polici të fuqishme, jo me fjalë të mëdha”, tha Veseli.

SHPËRNDAJE