Kadri Veseli që i shpalli luftë korrupsionit duhet t’i lexojë konkluzionet e BE’së që godasin keq Kosovën

Kadri Veseli pas rizgjedhjes në krye të PDK’së, në konventën e mbajtur dje, i entuziazmuar i kishte shpallë luftë korrupsionit. Madje thoshte se do ta çlirojë Kosovën nga ky fenomen, siç e kishte çliruar nga Serbia.

Megjithatë derisa i thoshte këto fjalë, përballë vetes kishte njerëz të rizgjedhur në strukturat e partisë që ai udhëheq, e të cilët ndiqen nga drejtësia kosovare si të dyshuar për korrupsion.

Por Veseli meqë i ka shpallur luftë korruspionit, duhet që të lexojë në detaje konkluzionet e nxjerra së fundi nga BE-ja, të cilat e godasin keq Kosovën sa i përket punës së bërë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar korrupsionit.

Në pikën 44 të dokumentit të publikuar nga Këshilli i Ministrave të BE-së, thuhet që Kosova duhet të shënojë rezultate të prekshme sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të adresohen me vendosmëri. Këshilli shpreh shqetësimet e tij lidhur me ndërhyrjet e politikës dhe punësimet pa merita , dhe gjithashtu shpreh keqardhje për zgjedhjen në pozita zyrtare të njerëzve të dënuar për krime lufte, që është në kundërshtim të vlerave të Bashkimit Evropian”, thuhet në raport, shkruan Gazeta Express.

Përveç kësaj në këtë raport potencohet edhe gjendja në veriun e Kosovës, ku potencohet se atje ka probleme në shtrirjen e pushtetit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Këshilli e thekson me shqetësim situatën e përgjithshme në veri të Kosovës që vazhdon të paraqesë sfida në fushën e luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”, potencohet në pikën 46 të raportit të BE-së.

Ndër të tjera porositen institucionet e sigurisë që të bashkëpunojnë ngushtë me misionin e EULEX-it.

Ata presin që lëndët të cilat janë bartë nga EULEX-i tek autoritete vendore të ndiqen në mënyrë të duhur nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.

“BE-ja nxit Kosovën që të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe efektiv me misionin e EULEX-it. Këshilli gjithashtu pret që lëndët kriminale dhe civile të cilat janë bartur nga EULEX-i tek autoritetet vendore të ndiqen në mënyrë të duhur”, thuhet ndër të tjera në raport, saktësisht në pikën 51.

Në dokument është përmendur edhe përpjekja për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, duke thënë se duhen vazhduar përpjekjet për eliminimin e këtyre dukurive./GazetaExpress/

SHPËRNDAJE