“Kadri Veseli ta pastrojë veten nga akuzat për krime si shef i SHIK-ut, e pastaj ta bëjë këtë në PDK”

Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, duket se në fillim i është dukur e lehtë që të merr vendim për largimin nga pozitat udhëheqëse në parti, të gjithë atyre që janë në aktakuza.

Vendimin e Veselit, në orët e para, e përkrahën ministri i Inovacionit, Besim Beqaj dhe zv.ministri i Mbrojtjes, Agim Çeku – të cilët dhanë dorëheqje menjëherë nga pozitat e tyre.

Por, kryetarit Veseli, ‘sharra i hasi në gozhdë’, kur vendimi i tij e preku shefin e PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

Publikisht, Lushtaku e kërcënoi Veselin, duke thënë se “nuk ka bir nane që e largon nga PDK-ja”.

Për më tepër, Lushtaku kërkoi që nga PDK të largohen 5 persona, të cilët sipas tij e kanë kapur shtetin e Kosovës dhe PDK-në, ani pse ai nuk ua përmendi emrat.

Për analistin Imer Mushkolaj, deklaratën e Lushtakut, do të duhej ta trajtonte Drejtësia në Kosovë. Kjo pasi që sipas tij, deklarimi i Lushtakut, është skandaloz, duke kërkuar nga PDK që të dalin publikisht dhe të tregojnë se kush janë ata persona.

Mushkolaj në një bisedë me Gazeta Blic, ka thënë se nëse Lushtaku po e din se kush e ka kapur Kosovën, atëherë Prokuroria do të duhej ta intervistonte atë, për t’i mësuar ata emra.

“Së pari deklarata e Lushtakut është skandaloze. Do të duhej që ajo deklaratë të merrej seriozisht dhe të ndërmerreshin masa edhe nga ana e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai thjesht po na tregon që 4/5 njerëz e kanë kapur sistemin e drejtësisë. Lushtaku po e din se kush janë ata njerëz. Do të duhej që PDK-ja të dilte dhe të tregonte se kush janë ata”.

Mushkolaj thotë se gjithçka që po ndodh brenda PDK-së, sidomos kohëve të fundit nga përplasja Veseli-Lushtaku, ka dorë presidenti Hashim Thaçi.

Kjo pasi që sipas Mushkolajt, ish-kryetarit të PDK-së, nuk po i pëlqen vendimi i kryetarit aktual për ‘pastrimin e partisë’.

“Duket që Thaçi nuk është i kënaqur që Veseli ka marrë iniciativë për pastrimin të themi të partisë dhe kjo po e bënë këtë reagim të Lushtakut dhe nesër ndoshta edhe të ndonjë tjetri. Dihet që Lushtaku me disa të tjerë janë njerëz të fortë të PDK-së dhe njihen si njerëz të Hashim Thaçi, ku dihet afërsia e tyre. Dihet që ndikimi i Thacit në PDK është shumë i madh. Përkundër që Kadri Veseli është kryetar i PDK-së zyrtarisht, një pjesë shumë të madhe të partisë e kontrollon Hashim Thaçi”.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, për Gazeta Blic, thotë se Kadri Veseli e ka shumë të vështirë ta largojë nga pozitat drejtuese të partisë, një person sikurse Sami Lushtaku.

Madje, ai thotë se Lushtaku bënë pjesë në formimin e një PDK-je që mënyrë të funksionimit e kanë pasur korrupsionin dhe nepotizmin.

Andaj, sipas tij, kjo gjë e bënë të pamundur të largohet ai, për shkak se sipas Mushkolajt, largimi eventual i Sami Lushtakut dhe njerëzve sikurse ai do të ishte edhe shkatërrim i PDK-së.

“Ata që i pat kollaj me i hjek Veseli, i hjeku. E hoqi Beqën Besim Beqajn), e hoqi Çekun e hoqi edhe Kryeziun. Nuk është e lehtë që të hiqen këta për shkak se PDK-ja është e ndërtuar mbi këta njerëz. Kur po them mbi këta njerëz, po thom mbi natyrën e veprimit të këtyre njerëzve që është korrupsioni. Që është mënyra e familjarizmi e gjërat tjera që e ka instaluar PDK-ja në Kosovë. Nëse këta njerëz do të largoheshin do të ishte edhe shkatërrimi i PDK-së”.

Mushkolaj e quan dyftyrësi tentimin e Veselit për ta paraqitur një imazh tjetër për PDK-në. Thotë se edhe tani, partia e Veselit, paradite flet për pastrim të partisë e pasdite vendos militantë nëpër borde publike.

“Është dyftyrësi nëse paradite thu që duhet të pastrohet partia dhe institucionet, e pasdite njerëz të kësaj partie vendoset nëpër borde të ndryshme, sic po shihet që po ndodhin edhe në këtë kohë”.

Ai po ashtu thotë se deklarimet me pompozitet të Kadri Veselit, po vijnë pasi këtij të fundit, po i përmendet emri në raste korruptimi dhe afera të tjera.

“Të mos harrojmë që kjo qasje ose kjo paraqitje me pompozitet e Veselit, po vjen pas raportimeve për përfshirjen e tij në korrupsion. Këtë po e bën që të dërgojë mesazh tek qytetarët që mos ndëgjoni cka po flitet për mua por shikomni se cfarë po bëj me vendime të mia”, thotë Mushkolaj.

Imer Mushkolaj në fund thotë se kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli, nuk mund të tentojë që ta ndryshojë imazhin e partisë, pa e ndryshuar atë personal. Thotë se fillimisht Kadri Veseli, duhet ta pastrojë vetën nga akuzat që i janë bërë atij në kohën kur e ka udhëhequr Shërbimin Informativ të Kosovës (ShIK).

Madje, në fund Imeri përmend edhe përfshirjen e Kadri Veselit në ‘Aferën Pronto’, ku ai dëgjohet duke i thënë Adem Grabovcit, që Aleksandër Lumezi, duhet të vendoset në krye të Prokurorisë së Kosovës.

“Edhe Veselin e kemi dëgjuar në përgjime. Mos të harrojmë që Kadri Veseli e ka udhëhequr SHIK-un. Ai para cdo veprimi duhet që ta pastrojë vetën nga e kaluara e tij si udhëheqës i SHIK-ut. S’mund të shes moral për të tjerët për derisa nuk e ka pastruar vetën nga akuza shumë të rënda që iu kanë bërë atij dhe institucionit që ai e ka udhëhequr. Kujtojmë që SHIK-ut akuzohet për krimet më të rënda si vrasjet. Andaj, Veseli para secilit vendim, duhet që fillimisht ta pastrojë vetën nga akuzat që janë bërë ndaj tij si udhëheqës i Shërbimit Informativ të Kosovës”, ka përfunduar Mushkolaj.

Imer Mushkolaj, njohës i çështjeve politike

Përveç Lushtakut, kundërshtim ndaj vendimit të Veselit, pritet ta bëjë edhe kryetari i degës së PDK-së në Klinë, Sokol Bashota.

Bashota, i cili është i dënuar me burgim me kusht, nën akuzën për fshehje të pasurisë, ende nuk e ka folur asnjë fjalë për këtë vendim të kryetarit të partisë.

Bashota, e ka pëlqyer statusin e Lushtakut në facebook, kur ky i fundit i del publikisht kundër Kadri Veselit.

Gazeta Blic, ka folur me zyrtarin e lartë të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili u shpreh se nuk i komenton deklarimet e askujt brenda PDK-së.

Pavarëisisht insistimit nga Gazeta Blic, asnjë zyrtarë i PDK-së, nuk ka pranuar që të flas për përplasjen e kohëve të fundit mes kreut të partisë, dhe kryetarit të PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku.

SHPËRNDAJE