Kadri Veselin nuk po e pyet askush në PDK, edhe një zyrtar i lart i partisë nuk ia zbaton vendimin per largim – i jep përgjigje të ashpër

Vendimi i Kadri Veselit s’vlen as për Adem Grabovcin, i cili ka thënë se vetëm ata që e kanë votuar mund ta largojnë nga organet e partisë. Ka thënë se do të vazhdojë të mbetet në PDK deri në anëtarin e fundit. Ka komentuar edhe vizitën e Presidentit në villen e tij në Dukagjin.

Adem Grabovci s’e ka më mendimin e njëjtë sikur dikur – në përgjimet e PRONTO’s – kur zotohej se do të respektonte secilin vendim të Kadri Veselit, i cili ishte vetëm anëtar i PDK’së.

Në përgjime teksa merrte urdhra nga Veseli, Adem Grabovci thoshte se “ti merr vendime, unë i zbatoj”.

Raportet e Grabovcit me Kadri Veselin kanë ndryshuar krejtësisht prej se Kryetari i PDK’së vendosi t’i përjashtojë nga partia të gjithë ata që kanë aktakuza. E t’i shkarkojë nga Qeveria gjithë ata që përballen me drejtësinë.

Të dielën, Adem Grabovci ka folur me përçmim kur është pyetur për vendimin e ish-shefit të SHIK’ut për përjashtimin nga organet e partisë të atyre që kanë probleme me ligjin.

“More çfarë vendimi të Kryetarit të Partisë? çfarë largimi?”, ka shtruar pyetje Grabovci dhe ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Kadri Veselit.

“Mu vota më ka zgjedhë e vota mundet me m’largu, askush tjetër. Jam njëri ndër themeluesit e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe nëse mbetet vetëm një anëtar i PDK’së, ai jam unë”, ka thënë Grabovci për Express.

Adem Grabovci nuk ishte lejuar të kandidonte për deputet në zgjedhjet e fundit nacionale. Edhe i propozuari i tij për Ministër, Besim Beqaj, është shkarkuar nga Veseli.

Ish-Nënkryetari i PDK’së fillimisht kishte humbur pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së kur shpërtheu afera e quajtur “Pronto”, e cila ende nuk është mbyllur, e ku dëgjohen zyrtarët e PDK’së teksa flasin për punësimet e anëtarëve të partisë nëpër institucione të shtetit. Në mesin e bisedave janë edhe ato të Grabovcit me Kadri Veselin, i cili i tregon se cilin person duhet ta shtyjë përpara për pozitat publike.

Së fundmi, Kadri Veseli, në një paraqitje publike, dha lajmin se po i largon njerëzit me aktakuza nga Partia e Qeveria. Deri më tash kanë pësuar tre persona: Besim Beqaj, Nijazi Kryeziu dhe Agim Çeku.

Por, në Parti s’po ia pranojnë vendimin. Vendim ky që nuk është marrë as në Kryesi dhe as në Këshilli Drejtues.

Pikërisht këtu ndalet Adem Grabovci. Thotë se nga Partia të largojnë vetëm ata që të sjellin aty – anëtarët e Këshillit Drejtues.

“Vetëm vota mund të më largojë prej partie Unë i falënderoj të gjithë votuesit gjegjësisht anëtarësinë e PDK’së që më kanë votuar fuqishëm dhe jam njëri ndër më të votuarit në këshillin drejtues të PDK’së, vetëm ata që ma kanë dhënë votën mund të më largojnë”, ka thënë Grabovci.

Ish-deputeti i PDK’së ka thënë se respekton çfarëdo vendimi që bazohet në Statutin e Partisë. Ky dokument s’përcakton askund të drejtën e Kryetarit t’i përjashtojë njerëzit nga Partia.

“Unë jam institucionalist, i respektoj institucionet, i respektoj rregullat që i nxjerri vet, statutin e partisë ai për mua është kushtetuta e partisë, siç është kushtetuta e shtetit edhe kushtetuta dhe programi janë për partinë”, ka shtuar ai.

Kadri Veseli ende s’e ka thënë asnjë fjalë dhe s’e ka marrë asnjë veprim për largimin e atyre me aktakuza. Madje, disave ju ka premtuar se vendimi nuk i prek, duke bërë seleksionime.

Megjithëkëtë, Sami Lushtaku dhe Sokol Bashota, po ashtu, kanë refuzuar të pranojnë vendimin e Kryetarit të PDK’së.

Lushtaku ka thënë se s’ka bir nane që e largon nga PDK’ja. Ka kërkuar të largohen me turp 4-5 njerëz të PDK’së që kontrollojnë mediat, biznesin dhe drejtësinë.

Adem Grabovci s’dëshiron të kometojë deklaratat e zyrtarëve tjerë të PDK’së. Vetëm konfirmon se do të punojë për të mirën e partisë së themeluar pas përfundimit të luftës.

“Po e përsëris se edhe nëse mbetem anëtari i vetëm i partisë unë do të jem dhe do ta zhvilloj partinë sepse besoj shumë në vizionin e PDK’së të cilin e kam krijuar dhe fuqizuar edhe vet”.

Të shtunën në shtëpinë e Adem Grabovcit kishte shkuar Presidenti Hashim Thaçi, i cili të premten kishte nderuar me dekoratë “Hero i Kosovës”, Dinë Grabovcin e vrarë në luftë.

Adem Grabovci s’ka komentuar nëse këto veprime dhe vizita e Presidentit lidhet me zhvillimet në PDK. Vetëm ka lavdëruar vendlindjen e tij, Pejën.

“Te na n’bjeshkë është shumë mirë, është vizitë normale”, ka thënë Adem Grabovci, i cili është anëtar i Këshillit Drejtues të PDK’së.