Kandidati i LDK-së për kryetar, Xhafer Tahiri vë në siklet kundërkandidatët në Vushtrri

Vendimi i Xhafer Tahirit, kandidat për kryetar të komunës së Vushtrrisë nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të ruajtur ambientin duke mos vendosur poster gjatë fushatës duket se ka vënë në hall kandidatët e partive tjera politike.

Disa duket se tashmë kanë vendosur ta ndjekin shembullin e tijë e disa tashmë e kanë mbushur Vushtrrinë me fotografi të tyre.

Të shtunën Partia Demokratike e Kosovës dega në Vushtrri, ka konfirmuar se ende nuk ka vendosur as edhe një slogan apo një foto të tij në rrugët e qytetit duke iu përgjigjur akuzave për ndotje të qytetit me postera vend e pa vend për fushatën zgjedhore.

Kandidati për kryetar të Vushtrrisë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, i cili ka zgjedhur që gjatë fushatës të jap kontributin e tij në ruajtjen e ambientit duke mos vendosur asnjë poster të tij në komunën të cilën garon ta udhëheq në mandatin e ardhshëm.

Tahiri në një intervistë për KosovaPress ka thënë se ky është vetëm një kontribut i vogël drejt ndryshimeve rrënjësore që do të ndodhin në qytetin e Vushtrrisë nëse ai do të jetë i pari i komunës pas zgjedhjeve të 22 tetorit. Ndërsa ka premtuar se nën udhëheqjen e tij, Komuna e Vushtrrisë do të udhëhiqet në mënyrë transparente dhe se do të jetë e hapur ndaj qytetarëve.

“Pas 10 viteve qeverisje nga PDK, pas tri mandateve të qeverisjes nga pushteti i vjetër i PDK-së, Vushtrria ka nevojë për ndryshim rrënjësor në qasje dhe në mënyrën e qeverisjes së saj. Ndryshimi vjen nga njerëz të ri, me ide të reja, me vullnet, me guxim intelektual dhe me përkushtim për të punuar në të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë… Unë kam vendosur që në këtë fushatë të mos vendos asnjë poster në qytetin e Vushtrrisë, e as në fshatra. Dhe kjo për një arsye të vetme, qyteti i Vushtrrisë vuan shumë nga mbeturinat”, ka thënë ai./Gazeta Fjala/