“Kemi Qeveri kineze, duhet dorëheqje për foton dhe te “Afera e Fajdeve””

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka kritika ndaj qeverisë aktuale por thekson se ata që kërkojnë zgjedhje duhet të ofrojnë program qeverisës. Ka pikëpyetje rreth paralajmërimit se Samiti i Parisit mund ta përmbyllë marrëveshjen me Serbinë. Ai në një intervistë për Gazetën Express, flet edhe për skandalin e fajdeve ku përmendet emri i ish kolëgëve të tij partiakë, Kadri Veselit e Xhavit Halitit.

Për fotografinë që e publikoi Flora Brovina thotë se kur bëhen gabime duhet të jepet dorëheqja.

Jakup Krasniqi ka mendim edhe për komunikimin përplot akuza mes Hashim Thaçit e Sali Berishës. Këto përgjigjje ai i dha në një intervistë me shkrim gjatë ditës së dielë.

Gazeta Express: Disa herë keni përmendur mundësinë e rrëzimit dhe kërkesën tënde të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Tash opozita ka nisur nënshkrimet për mocion mosbesimi. Vlerësoni ende se duhet të shkohet në zgjedhje për shkak të keqqeverisjes që po ndodh?

Krasniqi: Në ketë mandat edhe nuk kam folur për zgjedhje edhe pse parimisht nuk jam as kundër tyre, por në zgjedhje shkohet për zgjidhje e pastaj për qeverisje të mirë. Për mua, ata që kërkojnë zgjedhje duhet ta afrojnë një Program të detajuar qeverisës, por atë program nuk po e shoh. Unë nuk jam duke u pajtuar me ketë qeveri në rend të parë për shkak të kabinetit Kinez dhe mënyrën sesi po shpërndahet paraja publike. Ajo po shpërndahet për njerëz që i kanë të gjitha të mirat e jo për ata që vërtetë kanë nevojë për ndihma nga qeveria.

Gazeta Express: Më se keqi gjendjen e ka PDK nëse shkohet në zgjedhje për shkak edhe të skandaleve të fundit. Sa keni qenë në PDK, a keni dëgjuar ndonjëherë se zyrtarët e kësaj partie janë përfshirë në fajde dhe si e komentoni “Aferën e Fajdeve” ku po përmenden edhe Kadri Veseli e Xhavit Haliti?​

Krasniqi: Partia Demokratike deri në zgjedhjet e vitit 2010 ka qenë shumë mirë e organizuar si parti e qëndresë së majtë. Pastaj ka pas marr tatëpjetën, e kulmin e ka arritur kur pa debat është profilizuar parti e qendrës së djathtë. Se zyrtarët e saj janë të përfshirë në afera të tilla nuk kam pas dëgjuar, mbase edhe nuk kisha besuar. Pse? Deri atëherë isha i bindur se pushtetin po e kërkonim nga qytetarët për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Kur u binda se ky nuk ishte qëllimi, i ndjeka bindet e mija politike dhe ideologjike. Sikur politika të ishte shërbim, do të duhej të kishim dorëheqje. Por derisa partitë e mëdha, në zgjedhjet partiake grushtohen, po duket qartazi se lufta me grushte është për qëllime të tjera e jo për t’ju shërbyer qytetarëve.​

Gazeta Express: PDK shkaktoi skandal edhe para disa ditës kur një deputete publikoi një fotografi të rreme për krimet e serbëve në Kosovë. U insrumentalizua deputetja Brovina, u tregua naive apo është siç tha Veseli se Serbia qëndron prapa këtij skandali?​

Krasniqi: Ato​janë raporte të brendshme​dhe nuk dua të përfshihem në to. Një gjë është e saktë, politika tek ne duhet të ketë moral dhe kur bëhen gabimet duhet të ndodh edhe dorëheqjet. Por, si po duket dorëheqjet ndodhin aty ku politika është shërbim për qytetarët.

Gazeta Express: Hashim Thaçi dje kërkoi bashkim kombëtar. Para disa ditësh pati përplasje me Sali Berishën me të cilët po shtyhen se kush është më proserb. Kush prej këtyre dyve, sipas jush, i plotëson kriteret për të qenë më i afërt me Serbinë?​

Krasniqi: Përfaqësimi institucional i kombit shqiptar kur nuk ka qenë në krizë më të madhe. Komunikimi ndër shqiptarë kurrë nuk ka qenë në ketë nivel të primitivizmit. Mënyra si po komunikohet në nivele të larta përfaqësimi është më shumë sesa e mjerë.​

Gazeta Express: Samiti i Berlinit eliminoi temën e ndryshimit të kufijve. Më 1 korrik mbahet Samiti i Parisit. Shihni mundësi të arrihet një marrëveshje e shpejt me Serbinë duke prekur kufijtë apo do të ketë prolongim të një Marrëveshje Finale që po e kërkon edhe Donald Trump?

Krasniqi: Mrekullitë edhe mund të ndodhin, por unë nuk besoj në mrekulli! Në rend të parë Kosova e pastaj edhe Bashkimi Europian, me bisedimet e Brukselit pa asnjë arsyeje të vetme Bisedimet Teknike i kanë kthyer në Bisedime Politike. Procesin e mbyllur të pavarësisë të konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e kanë hapur duke u gjunjëzuar kërkesave të Serbisë e cila ka ushtruar Krime të Gjenocidit në Kosovë. Unë nuk i besoj asnjë samiti e asnjë marrëveshje të lehtë e të shpejtë me Serbinë, qeveritarët e të cilës asnjëherë nuk janë distancuar nga Krimet e Gjenocidit të kryera jo vetëm në Kosovë.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE