Këshilltari i Kurtit më 2011 bënte përgjegjës liderët e UÇK’së për të zhdukurit e luftës – kjo pëlqehej edhe nga Lumir Abdixhiku

Shkelzen Gashi, Këshilltar i Kryeministrit të shkarkuar, kishte shkruar qysh më 2011 për ‘krimet e UÇK’së’. Atëkohë, citonte raporte në të cilën thuhej se “UÇK kishte përgjegjësi për të zhdukurit dhe kishte pasur burgje”. Kërkonte përgjegjësi nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare për këta të zhdukur.

Para nëntë vjetëve, Shkelzen Gashi, Këshilltar i Kryeministrit të shkarkuar, shkruante për “krimet e UÇK’së”. Ofronte shifra të personave të zhdukur nga nacionaliteti serb, boshnjak, malazez e rom.

Të premten, Gashi shkoi edhe më tutje, duke kërkuar përgjegjësi nga ushtarët e UÇK’së, të cilët i bëri përgjegjës për krimet e luftës. Tha se këto krime ndaj minoriteteve s’i kanë kryer pjesëtarët e shoqërive artistike.

Ndërkohë, në një tekst te vitit 2011, Gashi, kërkonte direkt përgjegjësi nga prijësit e luftës, duke përdorë argumentet e senatorit zviceran, Dick Marty.

“Ish-liderët e UÇK-së duhen me dhanë përgjegjësi për të zhdukurit. Ata nuk është mirë as me e përfaqësue Kosovën në negociata me Sërbinë, kur dihet se ndër temat kryesore, përveç çështjes së të zhdukurve, ka me qenë edhe statusi ‘europian’, pra autonomia, për sërbët e Kosovës. Prandaj, për mos me dhanë përgjegjësi për çështjen e të zhdukurve, ish-liderët e UÇK-së – shumë prej të cilëve edhe të korruptuem – mund të bëjnë, qysh e dëshmon e kaluemja e tyre, lëshime të mëdha në pikën kryesore të këtyre negociatave: me e nënshkruejtë statusin ‘europian’ për sërbët e Kosovës”, shkruante Gashi.

Këtë tekst, atëkohë, e pëlqente Lumir Abdixhiku e Avni Zogiani, të cilët tash janë pjesë e Qeverisë.

Gashi përdoret edhe raporte të ndryshme për t’i argumentuar tezat e tij.

“Në raportin e këtij Fondi thuhet se në periudhën 12 qershor 1999 – 1 shtator 1999, në Kosovë janë zhdukë ose rrëmbye 835 qytetarë të Kosovës të nacionalitetit sërb, malazez, boshnjak e rom. Prej tyre, sipas raportit, UÇK-ja ka lirue 141 të rrëmbyem; 24 kanë ikë nga burgjet e UÇK-së; 13 janë lirue me ndërmjetësim të KFOR-it; 62 janë vra pasi janë rrëmbye; pjesa tjetër prej 593 persona konsiderohen të zhdukur, prej të cilëve 257 të rrëmbyem prej UÇK-së ose personave që kanë veprue në emër të UÇK-së, ndërsa 336 të zhdukur në rrethana të paqarta”, kishte shkruar ai.

Teksti i plotë:

A po shpif Dick Marty?

Tjetrazi

A po shpif Dick Marty?

Shkëlzen Gashi

Në librin e saj “Hunt: Me and War Criminals”, të botuem në prill 2008, ish-kryeprokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, Carla Del Ponte, akuzon komandantë kryesorë të UÇK-së për trafikim organesh të të burgosurve sërbë fill mbas luftës. Mbas botimit të këtij libri, Komiteti për Çështje Legale dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës ngarkoi liberal-demokratin zviceran, Dick Marty, me hartue një raport në lidhje me akuzat e Del Pontes dhe me përgatitë një draft rezolutë.

Në raportin e publikuem më 12 dhjetor 2010 me titullin “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, Marty pohon se ndërsa forcat sërbe po tërhiqeshin e ato të NATO-s po hynin në Kosovë, UÇK-ja ka krye shumë krime ndaj sërbëve, shqiptarëve të Kosovës të dyshuem si ‘tradhëtarë’ ose ‘kolaboracionistë’, dhe viktimave të konflikteve të brendshme në UÇK. Ai thotë se forcat e NATO-s kanë bashkëpunue me UÇK-në dhe rrjedhimisht krimet e kryeme prej pjesëtarëve dhe prej top liderëve të UÇK-së janë mshefë dhe nuk janë dënue.

Nëse i lëmë anash etiketat ‘shpifës’, ‘racist’, ‘sharlatan’, ‘serbofil’ apo ‘mafioz’, argumenti i vetëm mbrojtës i palës kosovare/shqiptare është se hetimet nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, por edhe nga Misioni i UNMIK-ut dhe ai i EULEX-it nuk kanë dhanë asnjë rezultat.

Por, raporti i Marty-t insiston se krimet kundër sërbëve të Kosovës nuk janë hetue sa duhet nga autoritetet përkatëse vendore e ndërkombëtare. Përveçqë misionet ndërkombëtare në Kosovë nuk kanë pasë personel të bollshëm dhe cilësor, hetimet kanë çalue edhe për arsye se Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi nuk kishte të drejtë me i hetue as krimet e kryeme në territorin e Shqipërisë e as ato të kryeme mbas qershorit 1999. Për më shumë, Marty përmend me të drejtë si të metë edhe mungesën e shoqërisë civile në Kosovë.

Pala kosovare/shqiptare nuk mundet me mohue se edhe mbas përfundimit të luftës në Kosovë janë vra civilë të pafajshëm sërbë dhe të grupeve tjera etnike/politike. Për këto vrasje kanë reague shumë organizata prestigjioze ndërkombëtare për të drejta të njeriut, që dikur raportonin edhe për shkeljet e të drejtave të qytetarëve shqiptarë të Kosovës nga ana e autoriteteve të ‘RFJ’-së. Vrasjet e mbasluftës janë dokumentue në raportin “Abductions and Disappearances of non-Albanians in Kosovo” (2001), të Fondit për të Drejtën Humanitare, nën përkujdesjen e aktivistes për të drejta të njeriut, Natasa Kandic.

Në raportin e këtij Fondi thuhet se në periudhën 12 qershor 1999 – 1 shtator 1999, në Kosovë janë zhdukë ose rrëmbye 835 qytetarë të Kosovës të nacionalitetit sërb, malazez, boshnjak e rom. Prej tyre, sipas raportit, UÇK-ja ka lirue 141 të rrëmbyem; 24 kanë ikë nga burgjet e UÇK-së; 13 janë lirue me ndërmjetësim të KFOR-it; 62 janë vra pasi janë rrëmbye; pjesa tjetër prej 593 persona konsiderohen të zhdukur, prej të cilëve 257 të rrëmbyem prej UÇK-së ose personave që kanë veprue në emër të UÇK-së, ndërsa 336 të zhdukur në rrethana të paqarta.

Në raportin e Marty-t nuk ka kurrfarë tendence për me i barazue krimet e forcave sërbe kundër shqiptarëve të Kosovës me krimet e pjesëtarëve të UÇK-së kundër civilëve të pafajshëm sërbë dhe të përkatësive tjera etnike/politike. Duket ashiqare se qëllimi i këtij raporti është mos me u heshtë krimet e kryeme nga pjesëtarë të UÇK-së. Në thelb, luftat ndahen në lufta të drejta dhe të padrejta. Lufta e UÇK-së ishte e drejtë meqë synonte me e çlirue një territor të okupuem dhunshëm. Por, meqë nuk ka luftë krejtësisht të pastër, as lufta e UÇK-së nuk ishte e tillë.

Qytetarët e Kosovës duhet me dijtë të vërtetën për atë që ka ndodhë në Kosovë sepse ky është kusht i domosdoshëm për pajtim mes shqiptarëve dhe sërbëve. Prandaj, shërbimi më i madh që miqtë ndërkombëtarë mund t’i bëjnë Kosovës është me i hetue këto krime profesionalisht dhe me i dënue kriminelët meritueshëm. Me këtë i vihet pikë abuzimit të kësaj teme në momente të caktueme nga Sërbia dhe shkarkohet UÇK-ja nga ‘bagazhi’ i individëve që e kanë keqpërdorë atë.

Ish-liderët e UÇK-së duhen me dhanë përgjegjësi për të zhdukurit. Ata nuk është mirë as me e përfaqësue Kosovën në negociata me Sërbinë, kur dihet se ndër temat kryesore, përveç çështjes së të zhdukurve, ka me qenë edhe statusi ‘europian’, pra autonomia, për sërbët e Kosovës. Prandaj, për mos me dhanë përgjegjësi për çështjen e të zhdukurve, ish-liderët e UÇK-së – shumë prej të cilëve edhe të korruptuem – mund të bëjnë, qysh e dëshmon e kaluemja e tyre, lëshime të mëdha në pikën kryesore të këtyre negociatave: me e nënshkruejtë statusin ‘europian’ për sërbët e Kosovës.

Shqiptarët duhet me dëshmue se nuk janë për drejtësi selektive. Prandaj, nuk është mirë me e etiketue ish-kryeprokuroren Del Ponte, e cila na pëlqente kur thoshte se 11, 334 të vramë nga forcat sërbe gjenden në 529 varreza masive. Po ashtu, nuk është mirë me e etiketue as raportuesin Marty, raporti i të cilit nga pikëpamja e të drejtave të njeriut është raport profesional. Në vend të fyemjeve është mirë me lexue raportin: qetë dhe sinqerisht. Ashtu qysh tha edhe Dick Marty.

SHPËRNDAJE